Historia e vrasësit të tmerrshëm serb që mori pjesë në vrasjen te lokali “Panda” dhe në burgun e Dubravës
I dyshuari për vrasjen në lokalin Panda në Pejë, në vitin 1998, Sinisha Petriq është ekstraduar në Bosnjë.
I njohur me nofkën “Zenica”ai dyshohet se ishte pjesëmarrës dhe në masakrën e Dubravës ku u vranë mbi 120 e u plagosën mbi 300 të burgosur shqiptar nga data 19-24 maj 1999.
Më 14 dhjetor të vitit 1998, në lokalin Panda në Pejë ku po qëndronin nxënësit e gjimnazit “Sveti Sava” ne Pejë, u futën dy persona të maskuar e të armatosur rëndë.
Por, atë që dyshohet se e bëri Sinisha Petriq me urdhrin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb, iu mvesh Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas kësaj, forcat serbe nisën një aksion ku arrestuan qindra kosovarë. Por, të gjithë u liruan më pas, përveç gjashtë personave. Në mesin e tyre, ishte edhe Vllaznim Përgjegjaj. “Jam kanë në shtëpi, me kanë arrestu…”, thotë ai.
E nga këtu, Vllaznim Përgjegjaj dhe pesë kosovarë të tjerë iu nënshtruan torturave më çnjerëzore. Krejt kjo për një krimin të cilin nuk e kishin bërë. Por, kush është Sinisha Petriq, i njohur me nofkën “Zenica”.
Si i mitur, Petriq u bë pjesëtar i grupit famëkeq “Marinko Magda” ku mori pjesë në vrasjen e 14 personave në Vojvodinë dhe Hungari.
Pas kësaj, ai u burgos disa herë për veprat më të rënda penale. Por, dera e lirisë për të u hap me fillimin e luftës në Kosovë.
Petriq, që mori pjesë edhe në luftën e Bosnjës, iu dha mundësia që në këmbim të lirisë, të luftonte në Kosovë. E këtu, Sinisha Petriq “Zenica” mori pjesë në njërën nga masakrat më të tmerrshme të luftës.
Në Burgun e Dubravës, forcat serbe ekzekutuan 120 shqiptarë. E para tytës së armës së Petriqit në Dubravë, ishte Defrim Rifaj.
“Kur na kanë rreshtuar për pushkatim, Sinisha ka qenë i veshur me tesha ushtarake poshtë, në pjesën e lartë e ka pasur një maicë të zezë dhe me një kallashnikov në dorë nga ne….deklaroheshin vet gardianët që kemi urdhër nga ministri i drejtësisë dhe kjo ka qenë një skenar i Slobodan Millosheviqit”, thotë ai për Tëvë 1
Por, Rifaj që ra në duart e forcave serbe si pjesë e grupit të unionit studentor në Prizren, “Zenicën” e mban në mend që nga burgu i Nishit.
“Fillimisht e kemi njohur në burgun e Nishit, ka qenë i dënuar për disa vrasje, nuk e di a ka qenë i dënuar me vdekje apo të përjetshëm. Dhe këtë kategori me dënime të mëdha, i kanë marrë më njësitet paramilitare i kanë sjellë në Kosovë”, tregon Rifaj.
Sinisha Petriq, ishte vrasës me pagës edhe i klanit famëkeq të Zemunit.
E po ashtu, Petriq sherbeu edhe si krahu i djathtë i Luka Bojoviqit.
Sinisha Petriq, pasi u arrestua në Spanjë, për krim të organizuar, të enjten u ekstradua për në Bosnje dhe Hercegovinë, ku pritet ta vuaj dënimin me burgim prej tri vjetëve.