Historia e vuajtjes dhe krenarisë së Hajdin Abazit
(Marrë nga ‘Facebook’ i Hajdin Abazit)
16 NËNTORI 1979 MË KUJTON ARRESTIMIN, BURGOSJEN DHE PRIVIMIN NGA TË DREJTAT ELEMENTARE
Çdo 16 nëntor është e pamundur të mos kthehen kujtimet e mia pas, në vitin 1979, kur regjimi pushtues serb arrestoi qindra të rinj atdhetarë.
Atë pasdite m’i vunë prangat edhe mua, asokohe brucosh.
Regjimi famëkeq pushtues më ndëpreu studimet universitare.
Nuk mjaftoi vetëm kjo.
Në vitin 1980, u hakmarën duke më larguar babain nga puna.
Pas katër viteve, mbarova burgun.
Por dënimet vazhdonin:
– Për pesë vite më kishin ndaluar të drejtën e studimeve;
– Edhe të drejtën e punës – ma kishin ndaluar për aq kohë sa do të sundonte regjimi serb në Kosovë;
– Në verën e vitit 1984, u punësova në një çajtore. Pas ca muajsh, pronari erdhi e më tha me keqardhje: ”Hajdin, nuk kam asnjë vërejtje ndaj teje si punëtor, por nuk mund të vazhdosh më.” Ma tha në konfidencë se sigurimi i shtetit serb (UDB-ja) i kishin bërë presion të më largonte, ose do t’ia mbyllnin biznesin.
Nuk ma shuan dot idealin, vazhdova angazhimin në lëvizjen atdhetare të kohës.
Në nëntor 1985, provuan të më arrestonin përsëri, por nuk më gjetën në shtëpi. Emigrova në Europë. Aty gjeta punën e parë, por edhe nisa të studioja. Edhe pse i huaj dhe azilkërkues, asnjëherë askush nuk më diskriminoi e nuk më ndaloi asnjë të drejtë. Ky realitet më kishte shtuar edhe më besimin për të marrë pjesë në luftën çlirimtare, në UÇK, që edhe atdheu ynë të gëzojë një qeverisje ku nuk diskriminohet asnjë qytetar.
Punën e parë në atdhe e kam gjetur vetëm pas çlirimit të Kosovës.
Pas 14 shkurtit 2021, një mik më pati thënë: ” Hiqe foton në FB ku është Hashim Thaçi, se ka me të kushtua. Plus, je edhe vetaran luftëtar i UÇK.” Iu përgjigja: ”Nuk e heq mik: është momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës! Aty është kurorëzimi i historisë sonë për pavarësinë e shtetit tonë, që edhe kësaj nomenklature ia bëri të mundur të vijë në pushtet!”.
Pas më pak se tre muaj më vonë, më 20 maj 2021, treshja famëkeqe V.O. SADRIU, A. Kurti dhe D. G. SCHWARZ më ndëprenë për gjysmë marrëdhënien e punës.
Déjà vu.
Me përndjekje, burgosje, privime nga puna e kemi paguar pa përjashtim të gjithë atdhetarët qëndrimin në anën e drejtë të historisë.
Kjo nuk më ka ligështuar asnjëherë mua, vetëm më ka bërë të shoh fytyrën e vërtetë të shëmtuar të pushtetarëve, atë fytyrë që përpiqen ta fshehin para opinionit me lloj-lloj maskash!