Historia është me Realin, “Bernabeu” një garanci kundër Bayernit në LK
Reali i Madridit nuk mundi të zgjasë serinë e fitoreve kundër në Bajernit në “Allianz Arena”. Por të paktën u largua pa humbur dhe me shanset për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve (1 qershor), do t’i luajë në fushën e vet, në “Bernabeu”.
“Los blancos” kishin fituar tri vizitat e fundit që kishin luajtur në shtëpinë e Bajernit: 0-4 kundër Guardiolës në vitin 2014 dhe dy fitore nga 1- 2 në dy sezone radhazi, 2017 dhe 2018. Të martën u ndalën në një barazim 2-2. Konkluzioni: pavarësisht se nuk mundën të fitonin, barazimi cilësohet i mirë për madrilenët. Në fakt një barazim në Mynih nuk është asnjëherë rezultat i keq dhe e lë ekipin e Ançelotit në një pozicion të shkëlqyer për të vulosur vendin e tyre në një tjetër finale. Historia është në anën e skuadrës së Ançelotit. Reali ka kaluar në 23 nga 24 turet kualifikuese evropiane pasi kanë barazuar në ndeshjen e parë jashtë shtëpisë së tyre. Edhe pse këta precedentë i nënshtroheshin rregullit të golit në fushë kundërshtare, gjithsesi vlejnë në këtë të dhënë të rëndësishme për Realin. Këtë herë dy golat e shënuar në “Allianz” nuk do të bëjnë domosdoshmërisht diferencën për ndeshjen e kthimit.
Por gjithsesi me faktorin fushë diçka ndryshon. I vetmi precedent në të cilin Reali u eliminua pasi barazonte në ndeshjen e parë larg “Bernabeu” është shumë larg: ai daton në Kupën e Kampioneve në sezonin 1990-1991, në të cilën madrilenët u eliminuan në çerekfinale kundër Spartak Moskës. Në takimin e parë në Rusi gjithçka ishte mbyllur në barazim pa gola. Në ndeshjen e kthimit “los blancos” mundeshin 1-3 në “Bernabéu”, ku për rusët shkëlqente Radçenko me një dygolësh.