Historia është rrotulluar në të mbarë të shqiptarëve
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (14)
Shkruan: Bedri Islami
Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër. Për këtë Mehmeti shtoi: “Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!”. Më pas shtoi: “Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!”. Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra. Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Mbasi i kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare (Mali i Zi-Kosovë-Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja, ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri. Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm. Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur “Shpërthimi”, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse.
* * *
Kjo është një dëshmi, e pas më shumë se 24 vjetëve, e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Nuk mund ta vlerësoj autencitetin e këtyre ngjarjeve. Është fakt se, në shtypin shqiptar në Tiranë, ku edhe u botua intervista e tij, nuk kishte kundërshtime për vërtetësinë e planit, por debati u përqendrua më shumë, megjithëse në fare pak kohë, në utopinë e një plani të tillë.
Mirëpo, diçka tjetër është padyshim e vërtetë dhe kjo është tashmë e njohur. Në veriun e Shqipërisë, pak para ngjarjeve të vitit 1981 dhe me më shumë ngut pas tyre, u ngritën depo të mëdha armatimi, për rreth 30 mijë ushtarë, me të gjitha mjetet e duhura logjistike, që nga pajisjet më të thjeshta dhe deri tek armatimi i rëndë. Çdo gjë ishte e siguruar, përmes kanaleve të ndryshme, në shtetet perëndimore. Logjistika ishte përgjithësisht angleze dhe e destinuar për një luftë në Kosovë. Çdo gjë që ndodhej në këto depo, më vonë, u shit, ashtu si është publikuar, me çmime qesharake, nga zoti Zhulali, diku në Afrikë apo tek serbët e Bosnjës.
Ndoshta EH, në vitin 1981, kishte menduar se, me anë të një lufte në Kosovë, qoftë edhe utopike, mund të shmangte vështirësitë e vendit të tij, mirëpo një logjikë e tillë nuk më duket e arsyeshme. Nëse shteti shqiptar, 40 vite më parë do të niste një luftë të tillë do ishte e vështirë,në mos e pamundur, që të mos përballej edhe reagimin e ashpër të shteteve europerëndimore. 17 vjet pas ngjarjeve të marsit 1981, përsëri në mars, kur lufta në Kosovë nisi, megjithëse shteti shqiptar nuk i hapi depot, përsëri ai u vu nën vëzhgim ndërkombëtar.
Mundësinë e shmangies së problemeve në një krahinë shqiptare me tjetrën, gjithnjë sipas mendimit tim, unë e përjashtoj. Duke njohur deri diku psikologjinë, karakterin dhe filozofinë politike të EH dhe ndihmësve të tij më të afërt, shpeshherë shumëfish më ekspresive, si Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, nuk e kishin zakon të pyesnin për gjëra të tilla dhe as të bëheshin merak se çfarë thoshin rreth tyre. Këtë EH nuk e kishte pasur edhe shumë vite më herët, nuk do e kishte deri në fund të jetës së tij, duke kthyer, me dhimbje e dhunë, vendit të tij në një fortesë, ku mund të rrije ankthshëm brenda, por nuk mund të dilje jashtë.
Shteti shqiptar, e për këtë jam i bindur, ka synuar gjithnjë, që përmes mërgatës shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, të ndikonte tek njerëzit. Nuk e përjashtoj që përmes ambasadave shqiptare në shtetet perëndimore, sidomos në Zvicër dhe në Austri, janë bërë të gjitha përpjekjet për të pasur lidhje të vazhdueshme me lëvizjet ilegale. Nga ana tjetër, edhe ilegalët që ishin jashtë Kosovës, e kërkonin dhe e donin këtë lidhje, e cila, asnjëherë, nuk ka qenë një lidhje agjenturore, për interes, edhe kur, mes tyre, janë vendosur strukturat e fshehta. Në fund të fundit, shqiptarët në perëndim kishin dy ambasada ku mund të shkonin, tek ajo e Beogradit dhe tek ajo e Tiranës.
Në fundin e viteve ’80-ta mërgata shqiptare e Kosovës merr një hop të ri cilësor, por, e kam të vështirë të besoj se, përmes tyre, shteti shqiptar ka ndikuar në zhvillimin e demonstratave të marsit 1981, dhe sidomos të atyre të 11 marsit. Në faktin që më vonë, sidomos më 26 mars, këto demonstrime morën karakter të theksuar kombëtar dhe politik, ka ndikim mendimi politik i mërgatës shqiptare, e përmes saj, edhe shteti shqiptar.
Në demonstratat e vitit 1981 kishte shumë parulla politike, mes të cilave, më e rëndësishmja dhe më sunduesja ishte, “Kosova Republikë”. Po të vëresh me kujdes qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj parullave të hedhura, do të vëresh se, ndërsa u pajtua dhe mbështeti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, ai nuk u prononcua për bashkimin kombëtar. Në asnjë nga materialet bazë të qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është mbështetur haptazi një parullë e tillë, me përjashtimin e një citimi në artikullin e fundit, në të cilin aludimet bëhen shumë konkrete.
Do të doja të përmbyllja këto shënime, me preciozitetin shumë të lartë që u ka bërë ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, studiuesi dhe, njëkohësisht, një prej miqve dhe mbështetësve më të mëdhenj të lirisë së Kosovës dhe të Ushtrisë së saj Çlirimtare, profesor Shaban Sinani.
Shqiptarët qenë të parët që i treguan botës se “federalizmi shumëkatësh” i këtyre vendeve nuk funksiononte si propagandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër. Kosova i tha kësaj bote se çështjet nacionale ende nuk janë futur në arkiv dhe nuk mund të mbahen gjatë tabu. Heronjtë e asaj kohe dhe sfida e tyre janë në nderin e historisë shqiptare. Tek kjo sfidë historia do të rikthehet shpesh. Ne e dimë se historia rrotullohet ngadalë, por kurdoherë që fati i shqiptarëve do të jetë afër mbarësisë, kurdoherë që cikli i historisë do të rikthehet aty ku çështja mbeti në vitet ‘80-ta, protagonistët e saj do të çmohen. (“Zëri i Kosovës”, 15. 04.1996).
Kaq vite pas këtyre ngjarjeve epike historia është rrotulluar në të mbarë të shqiptarëve. Ata kanë shansin e tyre të madh që të bëhen pjesë e historisë së vendit dhe kombit të tyre, nëse nuk do të harrojnë se, deri këtu, është dashur një përkushtim i disa brezave, të cilin, nuk mund ta nëpërkëmbin pinjollët e një skote të namun. (Fund)