Historia interesante e Bardh Kelmendit në sport
Futbollisti Bardh Kelmendi ka një histori interesante në lojën e futbollit. Ai ka luajtur futboll për 13 vjet, kurse më pas vendosi për një pushim dyvjeçar dhe më pas është rikthyer në futbollin e vogël. Tash Kelmendi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me skuadrën e Feniksit nga Drenasi dhe do të luajë në Ligën e Kampionëve.
Bardh Kelmendi ka një histori interesante në fushën e sportit, konkretisht në lojën e futbollit. Ai karrierën e filloi në moshën 12-vjeçare në skuadrën e KEK-ut nga Kastrioti dhe me sukses të plotë kaloi të gjitha grupmoshat deri tek ekipi i parë.
Kelmendi për “Epokën e re” ka rrëfyer për zhgënjimin e parë në lojën e futbollit kur kishte filluar të bëjë emër në ekipin e parë të KEK-ut. “Kam luajtur rreth 13 vjet nga gjeneratat e reja e deri në ekipin e parë, por kur fillova të ambientohem kushtet financiare nuk ishin të mira në klub dhe vendosa të pushoj dy vjet”, ka thënë ai.
Bardh Kelmendi më pas ka treguar se pushimin nga sporti e shfrytëzoi maksimalisht në përgatitjen profesionale, përkatësisht duke vijuar studimet në Fakultetin e Mjekësisë. “Pas pushimit nga futbolli vendosa t’i kthehem Fakultetit të Mjekësisë në Degën e Fizioterapisë, ku arrita të diplomoj dhe të pajisem me licencë të Ministrisë”, ka shtuar Kelmendi, i cili gjatë studimeve i hyri një tjetër “aventure” në sport, por këtë herë në futbollin e vogël. Ai që në provat e para i bindi drejtuesit e klubit të Prishtinës në futsall se ka cilësi. “Për dy sezone isha pjesë e Prishtinës, ku kemi arritur rezultate të mira dhe si rezultat i paraqitjeve të mira kam marrë disa oferta nga klubet e tjera”, ka deklaruar ish-lojtari i KEK-ut.
Bardh Kelmendi tash ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me skuadrën e Feniksit me të cilën do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe dëshira e tij është që së bashku me klubin nga Drenasi të paraqitet sa më mirë në këtë garë. Niveli i futsallit në Kosovë është vazhdimisht në rritje, kurse Bardh Kelmendi ka shprehur mendimin se kjo lojë është shumë atraktive dhe vetëm për pak vite ka arritur ta rrisë nivelin në një shkallë mjaft të lartë. “Cilësia e fusallit është duke u rritur çdo herë e më shumë. Duke parë se kjo lojë në Kosovë i ka vetëm dhjetë vjet, atëherë të gjithë duhet të jemi të kënaqur me cilësinë. Loja e fustallit është mjaft atraktive si për lojtarët ashtu edhe shikuesit, pra kur isha pjesë e Prishtinës numri i shikuesve ka qenë i madh dhe kjo dëshmon më se miri se ditë të mira e presin këtë sport në Kosovë”, ka përfunduar ai.
Skuadra ku do ta vazhdojë karrierën Bardh Kelmendi, Feniksi, deri te titulli i kampiones në Kosovë erdhi falë dy fitoreve ndaj Liburnit me rezultat 4-2 dhe 1-2.
/Veton ZYMBERI/