Historia nuk na pret, po s’e bëmë punën tonë!
Hisen Berisha
Kjo ishte shprehja që shumë shpesh e përsëriste si refren veprimtari i çështjes kombëtare Prof. Dr. Zekirija Cana, deri sa at’botë po angazhoheshim në përafrimin e familjeve të dy anëve të vijes kufitare në mes Kosovës e Shqipërisë, që shërbimi Jugosllav e argatët e tyre, me veprime të ulëta po përpiqeshin t’i kthenin në pengesë të përgatitjeve të luftës për liri.
“Ec djalë se nuk na e fal historia, mos me i krye punët tona”.
Këto fjalë me erdhën në mendje derisa me miq e intelektual të rinj ulqinak, po i vështronim vendbanimet e braktisuna, e ato që natyra i ka arkivuar për hulumtime arkeologjike të së ardhmes, kur vetëdijesimi kombëtar do t’i kujtojë e përligj këto vlera autentike të etimologjisë dhe identitetit tonë në këto treva të Anamalit dhe Krajës.
Derisa me shikim nga pozicione t’nalta vështrimi po sodisja bukuritë unike të Anamalit e Krajës, më erdhen në mendje këto thirrjr të Profesor Canës dhe mendova se kujt i duhet thanë, “Hisen djalë nuk pret historia”, “Hisen djalë nuk na fal historia, po se bamë punën tonë”.
Në mendje më përshkuan shumë emra personalitetesh akademike, sa ndjeva edhe neveri për profilin e tyre akademik, nivelin e lartë shkencor e frytet e pakta të punës për historinë si, vuthjani Rexhep Qosja, krajani Mehmet Kraja, sukobinasi Albin Kurti, etj. Por, duke mos i lënë anash pa i lavdërua për punën modeste për kujtesën historike si, ulqinakët Hajro Ulqinaku e Basqi Çapripi, Ruzhdi Ushaku e Ali Llunji, shestanasi Sim Dobreci, tuzianët Anton Kolë Berisha, Tome Berisha, vuthjanët Isa Qosja e Driton Kuka, martinasit Musa Prelvukaj e Zake Prelvukaj, etj.
Pra, edhe këtu në majën e lartë e strategjike të Shtegvashës ma ç’rregulloi mendjen e m’i bezdisi mendimet e emocionet Profesori Cana me atë thirrjen për të “punuar për historinë”.
Nga kjo naltësi dukej se thërrisnin për ndihmë: Ulqini, Tivari, Kraja, Tuzi, Plava e Gusia.
Nën ehon e fjalëve të profesorit të ndjerë, “nuk na falë historia po u vonuam e po nuk e bëmë punën tonë”, pastaj edhe disa studimeve unike kushtuar vatrave të braktisuna, nga bijë e bija që ende i shohin ëndrrat në vendbanimet e gjenezës së tyre, po survëjoja zonën e varfërueme prej banorëve autokton të Anamalit ku çdo toponim, shkurre e shkëmb flet shqip, si, Shtegvasha, Fraskanja, Krytha, Shasi, Katerkolla, Sukobina, Selita, Kravari, Suma, Shtoj, Ulqini, derdhja Bunes, Ada, Velipoja, Moriçani, etj. Pastaj po n’gegnishte flet zona e Krajës që shuan etjen në Liqenin e Shkodrës si, Arbneshi i braktisun nga Arbanasit e Zarës, Skie, Gshtënja, Ostrosi, Boboshti, Ftjan, i Moriqi, Besi, Shestani, Lijareja/Larja, Brisku, Dragaj, Runji, etj.
Pa dyshim se gjurma intelektuale e emrave të përveçëm si z. Kraja, Qosja, Kurti e shumë të tjerë, janë të pa kontestueshëm për punë e tyre profesionale, shkencore edhe politike në çështjen kombëtare, nga profili tyre akademik për ndërtimin e drejtimin e Akademisë së Shkencave, Institutin Albanologjik, apo institucioneve qeverisëse e politikbërëse. Por, edhe nëse kjo kategori intelektualësh janë akomoduar në burokracinë akademike kosovare, në trevat shqiptare të Malit të Zi po rritet mbi vlerat elite nacionale, një brez i ri intelektualësh, që meritojnë mbështetjen.
Gjuha është harta që përkufizon kombin, bëjini këto treva ta ruajnë identitetin, duke ua kthyer atë.
Bëjeni ju që i keni borxh atdheut, që po ju ofron mundësi të bëni histori për historinë, se ndryshe do turpëroheni para historisë! Kosova është bërë tashmë por kombi shtrihet përtej kufijve administrativ të shteteve tona, ngase ndjek hartën e gjuhës, kulturës, toponimeve, shkencës dhe vlerave nacionale.