Historia përlotëse e çiftit nga Elbasani (Video)
Të sëmurë dhe me shtëpi të rrënuar jeton çifti Çullhaj në fshatin Balëz të Elbasanit. Prej vitesh i zoti i shtëpisë i moshuar, qëndron i shtrirë në krevat, pasi është paralizuar, ndërsa bashkëshortja i shërben në çdo moment që ai ka nevojë.
Ka 18 vjet që dergjet i paralizuar në shtrat. E kishte menduar ndryshe pleqërinë. Por fati nuk ishte i drejtë me të. Është rasti i Sabri Çullhajt 74 vjeçarit me banim në Balëz të Elbasanit. Krevati, karroca, ilaçet dhe tavani që po i bie mbi kokë, mbushin përditshmërinë e tij. Pranë i qëndron bashkëshortja, Hajrija që lotët nuk i janë tharë, por që nuk dorëzohet në asnjë çast.
E kanë harruar sëmundjen e rëndë, sepse tani u kanoset një rrezik më i madh. Ndërtesa rrezikon të shembet. Është një ngrehinë që mund të shkërmoqet në çdo çast. Tërmeti i ditëve të fundit i ka terrorizuar më shumë. Një pjesë e suvasë i ka rënë në kokë të paralizuarit. Dhe tani ai thotë më mirë që ta nxjerrin në oborr, jashtë.
Sabriu e ka të vështirë të flasë. Është i dërrmuar nga sëmundja. Por i zhgënjyer sa më s’ka me instancat që e kanë për detyrë ta ndihmojnë. Mjekët në Elbasan i kanë hequr të drejtën që të kompensohet një kujdestar. Lekët nuk i dalin as për ilaçe. Por frika më e madhe tashmë është banesa gjysmë e shembur.
“Jam i paralizuar , kam 18 vjet, shtëpia po na ze brenda, kam frikë të rri në shtëpi sepse është dëmtuar nga tërmeti, por jashtë nuk mund të rri.”, thote ai.
Bashkëshortja e Sabriut, Hajire tregon se ka vite që i shërben bashkëshortit. I ka qëndruar pranë në 18 vjet. Por sëmundja e rëndë i ka rrënuar sa më s’ka. Tani mbahen vetëm me pensionet. Ka kërkuar ndihmë, por askush nuk u ka dhënë një dorë.
“Kërkoj ndihmë, vetëm një çati, sepse jemi 2 pleq dhe nuk kemi ku të shkojmë. Kur ra tërmeti, i gjitha llaçi na ra në kokë. Kemi kërkuar ndihmë nga shoqatat, por nuk kanë ardhur. Erdhi kryeplaku e pa dhe tha se nuk kemi fonde. Shiu na futet i gjithë brenda, kemi frikë të rrimë në shtëpi tani”, thote Hajria.
Të moshuarit bëjnë apel për ndihmë. Pushteti lokal është njohur me gjendjen. Por, si gjithmonë argumenti është se nuk kanë fonde.