Historia përsëritet pas 27 viteve, Flamurtari sërish mund Prishtinën
Stadiumi i Flamurtarit të enjten po gumëzhinte duke u shndërruar në arenë çmallje me plotë emocione, mes protagonistëve të kohës, duke kujtuar të kaluarën e para 27 viteve, përkatësisht 13 shtatorin e vitit 1991, kur u zhvillua ndeshja e parë e Kampionatit të pavarur të Kosovës, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, kur sporti e me këtë edhe futbolli morën rrugën e mëvëtsimit.
Një rrugë plotë mundime sakrifica, por gjithsesi plotë lavdi. Në nderim të kësaj dite, çdo vit FFK-ja organizon një ndeshje revyale ndërmjet veteranëve të Flamurtarit dhe Prishtinës e njerëzve dhe futbollistëve të asaj kohe. Ndeshja ndërmjet dy skuadrave kryeqytetase nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-presidentit të FFK-së dhe legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ndërkaq që përbërjet nuk ishin komplet si dikur veç treshes së gjyqtarëve, Ismajl Kosumi me ndihmësit e tij Fadil Gashi dhe Musa Gashi.
E në tribuna ishin plotë me protagonistë të dikurshëm dhe të tashëm që e madhështonin këtë përvjetor. Shpesh thonë se historia di të përsëritet, dhe fitorja e sotme Flamurtarit kundër Prishtinës ishte një e tillë por me shifra tjera. Aso kohe Flamurtari fitoi 3:2, ndërsa tash fitoi 3:0 me golat e Muhamet Dragushës, Arsim Plepollit dhe Rexhep Fonës.
Edhe pse veteranët e Prishtinës e mbizotëruan lojën, flamurtarasit u treguan më efikas dhe shënuan tri herë. Pas ndeshjes u shtrua një koktej dhe u pre një tortë, të cilën e prenë presidenti i FFK-së Agim Ademi, bashkë me Gramozin djalin e madh të ish-legjendës, Fadil Vokrri dhe kryetari i KF Flamurtari, Imer Ademi.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni gjetur kohë të shënojmë këtë ditë, që është unike mbase në krejt botën kur i thamë jo Serbisë dhe morëm rrugën tonë. Duke qenë pjesëmarrës i asaj kohe mund të them se kjo ka ndodhë falë njerëzve të shumtë, kur u themelua Federata në krye me Agim Bytyqin dhe ai sot është gjallë dhe dua të falënderoj atë dhe të tjerët që morën mbi vete një barrë të vështirë. Dua t’i falënderoj të gjitha klubet dhe futbollistët, njerëzit që dhanë gjithçka nga vetja për ta mbajtur gjallë futbollin dhe që nuk u ndalën kurrë e ne do t’i kujtojmë me pietet”, ka thënë Agim Ademi, duke shtuar: “Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata njerëz që lëshuan tokat e tyre për fusha të futbollit dhe mbase ata e kishin më së vështiri, sepse derisa ne gjenim rrugë për t’iu shmangur represalieve të armikut, ata nuk kishin ku të ikin se ishin në tokën e tyre. Ndaj nuk guxojmë të harrojmë këtë sakrificë. Ne luajtëm me një kulturë sportive pa polici, pa sigurim me një konop të thjeshtë e rrethonim fushën por askush se kalonte atë e me këtë gjest e kemi mahnitur botën sepse për ta ka qenë diçka e paimagjinueshme. Nuk ishim anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s, por kemi luajtur dhe jemi sjellë sikur të ishim anëtarë të saj të rregullt. Prandaj kemi treguar kulturë sportive dhe kemi trashëguar brez pas brezi. Njëherë me Agim Bytyqin, Rexhep Avdullahin, Sabri Hashanin dhe derisa e përmbyllëm me pranimin në UEFA dhe FIFA falë angazhimit kolosal të legjendës së futbollit Fadil Vokrri, prandaj ne kemi obligim që ta shtojmë organizimin në Federatë, klube, ta përmirësojmë infrastrukturën dhe kushtet tjera që ta çojmë futbollin e Kosovës përpara”.