Historia prekëse e Fatos Muqollit, ushtarit që mban emrin e vëllait të vrarë

25 dhjetor 2021 | 15:55

Fatos Muqolli ka një histori mjaft prekëse. Atij i është vendosur emri i vëllait të tij, i cili u vra në moshën një vjeç e gjysmë nga paramilitarët serbë. Fatosi që sot mban emrin e vëllait që iu vra në luftë është ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vetë ai përmes një rrëfimi në llogarinë e tij në Facebook ka treguar sa i lumtur dje ka qenë babai i tij kur e ka parë me uniformë të FSK-së, përcjell Demokracia.com.

“Para tij ishte Fatosi i ri, Fatosi i Kosovës së lirë që po mbante mbi supe uniformën për të cilën dhanë jetën më të shtrenjtit tanë! Fatosi që po jetësonte ëndrrën e tij!”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Fatos Muqollit:

Emrin Fatos ma vuri babai, ma kishte ripërtërirë emrin e vëllaut tim, Fatosit të vogël. Fatosi ishte vetem një vjet e gjysmë, sa kishte filluar hapat e parë kur u masakrua nga forcat paramilitare serbe.

Bashkë me Fatosin u vranë e u masakruan 53 anëtar të familjes Muqolli, Caraku e Elshani, ndër ta edhe motra ime Eronita, 4 vjeçe. Teksa po rritesha po kuptoja plagët që kishte thellë në shpirt babai im, por asnjëherë të vetme nuk ka qarë në sytë e tonë. Duke e parë atë të fortë kisha krijuar bindjen se babai im ishte më i fortë se guri…

Por dje lotët e tij rridhnin pa ndalë.

Para tij ishte Fatosi i ri, Fatosi i Kosovës së lirë që po mbante mbi supe uniformën për të cilën dhanë jetën më të shtrenjtit tanë! Fatosi që po jetësonte ëndrrën e tij!

Ndaj sot për mu është nder dhe krenari të mbartë mbi supe këtë uniformë, tash në paqe, ashtu siç bënë të parët e mij në luftën për lirinë e këtij vendi!

LAVDI GJAKUT TË DËSHMORËVE DHE MARTIRËVE TË KOMBIT! TA BËJMË KOSOVËN ASHTU SIÇ E ËNDËRRUAN ATA NDËR SHEKUJ!.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo vit ndodhin ngjarje të ndryshme që tronditin tregjet financiare,…