Historianët e Deçanit: ‘Ditë zie për Kosovën’
Ditë zie për Kosovën. Kështu e ka quajtur Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega e Deçanit, vendimin për pronën e Manastirit të Deçanit.
Kryetari i kësaj shoqate, Shkodran Imeraj, ka thënë se “janë të befasuar dhe të shqetësuar me vendimin e Kurtit”.
“Sot është një dite zie për Kosovën. Jemi të befasuar dhe shumë të shqetësuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë afër manastirit të Deçanit. Zbatimi i vendimit të gjykatës është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e kushtetutës së Kosovës të vitit 2008”, ka thënë Imeraj në një konferencë për medie.
Kjo shoqatë, ka paralajmëruar se rastin do ta çojë në Strasburg.
“Ne përpjekjet tona nuk do t’i ndalim dhe qysh sot kemi kërkuar ndihmën e juristeve e avokatëve më të mirë që lënda të trajtohet dhe të përgatitet në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg”, ka thënë Imeraj.