Historianët në Serbi akuzojnë çiftin Millosheviq për vjedhje të thesarit të jashtëzakonshëm
Vila shtetërore Paqja në Dedinje, në të cilën është dashur të zhvendosej Tito, por që këtë nuk e përjetoi, si dhe disa ndërtesa në kompleksin e tij ishin me plot eksponate të vlefshme, të cilave u ka humbur çdo gjurmë që nga viti 1999, kur aty u vendos diktatori dhe kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviq me bashkëshorten Mirjana Markoviq.
As sot nuk dihet se çfarë ka ndodhur me thesarin, i cili ka vlerë të paçmuar dhe historianët në Serbi thonë se thesarin e ka vjedhur Millosheviq dhe gruaja e tij, transmeton “KosovaPress”.
Zhivko Bërkoviq, historian i artit, thotë se Millosheviq është zhvendosur në “hapësirën mbrojtëse” në rrugën “Uzhica” në Beograd, e cila të kohë i takonte qendrës memorialë “Josip Broz Tito” dhe për shkak të kësaj ishte plot me eksponate të rralla, disa prej të cilave i takonin edhe kohës antike. Atje kishte skulptura të vlefshme, armë, stoli dhe piktura të piktorëve më të njohur. “Disa nga këto gjëra nuk kanë çmim. Shumica prej tyre humbën pas zhvendosjes së Millosheviqit atje. Aty ishte sfinga që Tito kishte marrë dhuratë nga presidenti egjiptian Naser, përkrenarja nga shekulli VII para erës së re, të cilën Tito e mori nga mbreti grek Pavle. Vlera e saj është e paçmuar. Deri sot të gjithë heshtin për këtë dhe ende nuk dihet nëse thesari shtetëror është fshehur diku, apo është shitur”, thotë Bërkoviq.
Në vilën Paqja ishin edhe gjërat personale të Titos, armë, koleksione arkeologjike dhe dhurata, të cilat Tito i kishte marrë nga e gjithë bota – nga patkoi me një dorezë të zbukuruar me diamante dhe armë të ndryshme të tjera të shtrenjta deri te kompleti për kafe nga ari dhe argjendi, skulptura dhe koleksione arkeologjike.
Jovanka Broz, gruaja e Titos, në vitet nëntëdhjeta kishte kërkuar një pjesë të pronës së Titos, në mesin e të cilave ishin edhe këto gjëra, por ajo nuk mori asgjë