Historiani britanik, whisky skocez dhe UÇK
Shkruan: Blerim Latifi
Më ra këto ditë në dorë libri më i ri i historianit të njohur britanik Timothy Garton Ash, “Homelands – A Personal History of Europe”. Në këtë libër autori i trajton ngjarjet kryesore që shënojnë historinë europiane nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në prag të agresionit rus në Ukrainë (2022).
Në kapitullin “Përsëri gjenocid” (faqe 177-188), Garton Ash trajton edhe luftërat e viteve nëntëdhjetë në ish-Jugosllavi, përfshi luftën e fundit në Maqedoni.
Shpjegimin e këtyre luftërave ai e kombinon me përvojën e tij personale si vëzhgues i drejtëpërdrejtë në disa nga situatat e këtyre luftërave. Pasi shpjegon kontekstin e përgjithshëm të Luftës në Kosovë dhe Maqedoni, autori na sjell edhe rrëfimet nga takimet e tij me disa nga aktorët e përfshirë në këto luftëra. Mes tyre rrëfimi më interesant është ai për takimin me Ali Ahmetin.
Është viti 2001. Në Maqedoni ka shpërthyer konfliktI midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe qeverisë maqedonase. Konteksti global është më i komplikuar se ai i Luftës në Kosovë. Sapo kanë ndodhur sulmet terroriste në New York dhe guerilët shqiptarë në Malet e Sharrit rrezikojnë të etiketohen me fjalorin e ri të luftës kundër terrorizmit, i cili ka pushtuar mediat dhe kancelaritë. Garton Ash niset për t’u takuar me liderin e këtyre guerilëve, që ndodhet diku në Malet e Sharrit. Me vete ka opinionet se ai është lider i një grupi terroristësh islamikë. Takimin me të na e përshkruan në këtë mënyrë: Ai (Ali Ahmeti) ishte një burrë që fliste në mënyrë të qetë. I shkolluar pjesërisht, ai kishte qenë në mesin e studentëve që kishin protestuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1981 dhe pastaj kishte marrë pjesë në politikën revolucionare të së majtës ekstreme në Zvicër. Gjëja e parë që bëri kur u takuam ishte ofrimi i një gote me whisky, për të cilën më tha si ishte shumë e mirë, një pije pesëmbëdhjetë vjeçare, me origjinë nga ishulli skocez Islay. Garton Ash tregon se ky gjest ia shembi paragjykimet me të cilat ishte nisur për në këtë takim. E çfarë terroristësh islamikë janë këta që pijnë whisky skocez dhe flasin për Konventën e Gjenevës?
Më pas shkruan: E pyeta Ahmetin se si do t’i përgjigjej dikujt që do t’i thoshte: Ju jeni një terrorist? Trupërojat e tij u shqetësuan nga pyetja ime, por ai u përgjigj me qetësi: Nuk mund të jetë terrorist një person që mban distinktivin e ushtrisë, i cili ka një objektiv për të cilin ai po lufton, i cili respekton Konventat e Gjenevës dhe Gjykatën e Hagës, që vepron në publik me emër dhe mbiemër dhe përgjigjet për çdo gjë që bën. . . Dikush që është duke synuar reforma të mira, demokraci në vend dhe që njerëzit të jenë të barabartë para ligjit”.
Ky rrëfim e tregon gjithë thelbin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pasardhëses së saj, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ishin njerëzit e LPK-së, të cilët, nga fillimi në fund, e ndoqën besnikëri vizionin e zhvillimit të një lufte të drejtë çlirimtare dhe i ruajtën këto dy formacione ushtarake nga rreziqet e implikimit brenda tyre të grupeve fundamentaliste, implikim që pashmangshëm do t’i diskreditonte ato, bashkë me luftën çlirimtare në Kosovë dhe atë Maqedoni.
Në rrethanat e sotme dyshoj se ky rrezik do të mund të shmangej. Sepse kemi devijuar shumë, aq shumë sa kemi rrezik të bijmë në humnerë, nga e cila pastaj do ta kemi tepër të vështirë të dalim.