Historiani Mala: Shqiptarët janë model i bashkëjetesës fetare
Historiani Muhamet Mala vlerëson se për nga pikëpamja fetare shqiptarët janë popull heterogjen dhe ndër popujt e paktë në botë që u takojnë katër religjioneve.
Mala, në “Rubikon me Adriatik Kelmendin”, u shpreh se pranimi i fesë nga shqiptarët ka ndodhur në një rrugë tjetër krahasuar me popujt tjerë, prandaj marrja e modeleve fetare nga popujt tjerë ndikon negativisht në identitetin tonë.
“Modelet e religjioneve universale nuk janë të njëjta në kulturat dhe rrugët zhvillimore të popujve të ndryshëm, konkretisht nëse kthehemi te shqiptarët, për shembull turqit dhe arabët e nisën rrugëtimin e tyre me islamin, ndërsa shqiptarët me paganizmin si ilir, mandej me krishterimin si të krishterë dhe mandej me shqiptarë. Prandaj, të gjitha ato përpjekje për marrjen e modeleve edhe ideve të kulturave dhe popujve të ndryshëm dhe paketimi në kuptimin fetar natyrisht se ndikojnë negativisht në identitetin tonë, jo pse janë antifetare ose i trajtojmë si të tilla, por për faktin se rruga dhe zhvillimi historik dhe pranimi i fesë te shqiptarët kanë ndodhur në një rrugë tjetër për dallim prej popujve të tjerë”.
Tutje, Mala thotë se respekti i ndërsjellë fetar dhe harmonia fetare janë një pjesë e ndritshme e historisë sonë dhe se shqiptarët mund ta japin shembullin më të mirë për Evropën se si mund të funksionojnë fetë e ndryshme në një ambient evropian.
“Ajo specifika që gjithmonë duhet ta kemi parasysh është heterogjeniteti fetar te shqiptarët, bile ky heterogjenitet fetar i shqiptarëve, nëse e shohim nga këndvështrimi historik, mund të themi se është një pjesë e ndritshme e historisë sonë nëse kërkojmë një element të ndritshëm në historinë tonë krahas elementeve të tjera, padyshim se duhet të ndalemi dhe ta potencojmë edhe respektin e ndërsjellë fetar dhe harmoninë fetare, por mendoj se në ambientet e sotme politike, kulturore, e ekonomike çështja e fesë siç duket po devijon pak prej këtij parimi, sepse po krijohen disa antagonizma, identitete pro dhe kontra”.
“Në fakt ky është element që ne si shoqëri do të ishte dashur ta shfrytëzojmë në kuptimin pozitiv. Përse në kuptimin pozitiv? Sepse unë mendoj dhe besoj se të gjithë ata që e besojnë dhe njohin historinë se e ardhmja e botës nuk është në konflikte dhe konfrontime fetare, por në paqe dhe mirëkuptim edhe librat e shenjtë na e mësojnë këtë, ato antagonizma që kanë ndodhur në botë, sidomos mbas 11 shtatorit mes Lindjes dhe Perëndimit, ndoshta dikush i ka akceptuar ndryshe”, tha Mala.
Historiani Mala, mes tjerash, thotë se shqiptarët mund të japin më të mirë Evropës se si mund të bashkëjetojnë dhe si mund të funksionojnë fetë e ndryshme në një ambient evropian.
“Ne shqiptarët jemi model dhe në vend që ta prezantojmë këtë model ne po ma arrimë modele tjera të cilat në njëfarë mënyre nuk përkojnë me rrugën tonë historike”.