Historiku i Forcave të Armatosura, pjesë e Arkivit Qendror Shtetëror
Mijëra materiale që i përkasin Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura do të jenë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit.
Tanimë puna ka nisur dhe pritet të përfundojë në 1 janar të vitit 2025.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Qendror të Shtetit, Ardit Bido, vizituan mjediset e Arkivit të Forcave të Armatosura, ku u njohën nga afër me proceset e punës dhe sfidat e transformimit digjital të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura.
Fondet e Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura tregojnë se si përpjekja për të krijuar, forcuar dhe mirëmbajtur Forcat e Armatosura ka qenë një sfidë që ka shoqëruar të gjitha fazat e shtetndërtimin tonë.
Ky Arkiv është pasuruar ndër dekada nga disa fonde të rëndësishme dhe vijon e pasurohet dita-ditës.
Integrimi i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura në Arkivin Qendror Shtetëror është një mundësi e mirë për të përmirësuar aksesueshmërinë, digjitalizimin dhe hapjen edhe më të gjerë për studiuesit dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë.
Po ashtu vijon puna për përpunimin e disa kilometrave linearë materiale arkivore, ende të pa trajtuara nga fondet ekzistuese.
Qeveria shqiptare pritet të financojë ndërtimin e një godine të dedikuar për këtë pasuri kombëtare, pranë kompleksit arkivor, me kushte bashkëkohore për 100 vitet e ardhshme.