‘Historitë horror të Beogradit’, gazeta gjermane del kundër propagandës serbe ndaj Kosovës
Gazetari i mirënjohur gjerman, Michael Martens, i ka dedikuar një shkrim në prestigjiozen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” propagandës horroriale të Serbisë për “spastrim etnik” në Kosovë. Qe qysh provohet që të çmontohet kjo propagandë.
Për të gjithë ne kjo propagandë çmontohet menjëhershëm nga realiteti. Por, fatkeqësisht, propaganda e Serbisë duket qartë se e synon veshin e serbëve në Serbi dhe veshin e ndërkombëtarëve që të dënohemi edhe më rrastë me ndëshkime ne kosovarët, siç ndodhi në muajin qershor.
Artikulli në fjalë është i titulluar në mënyrë të qartë: “Pse historitë horror të Beogradit janë thjesht propagandë?”.
Fillimisht, aty shtrohen pretendimet e ngritura e të përsëritura nga pushteti në Beograd – nisur nga presidenti serb Vuçiq – që thonë se ka një diskriminim sistematik e mizor në Kosovë, shkruan Nacionale.
“Në korrik, Aleksandër Vuçiqi foli për ‘tortura dhe persekutime të rënda’, për ‘pogrome’ dhe për ‘spastrim etnik që po e pësonte popullata serbe në shtetin që Serbia nuk e njeh”, ka shkruar ai.
Për këto pretendime që përsëriten edhe nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe nga kryediplomati Ivica Daçiq, ndër tjerash – FAZ-i ka thënë se janë “thjesht propagandë”.
Aty janë ofruar si fakt edhe raportimi i gjashtë muajve të fundit nga hiç më pak se UNMIK-u. Edhe pse ndoshta, nuk është referenca më e mirë e mundshme. Fatkeqësisht, raporti ka cituar disa raste jo fort të mira për Kosovën, e që përmenden nga FAZ-i, përfshirë edhe injorimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit.
Megjithatë, aty janë përmendur edhe të tjera gjëra që në mënyrë të qartë e kontestojnë propagandën e Serbisë.
Pasi ka përmendur se si ishte raportuar nga UNMIK-u ngucja e një ambulance nga policët tanë, artikulli thotë: “…raporti i OKB-së mund të kishte përmendur që mungesa e dyshimit te auto-ambulancat është keqpërdorur në të kaluarën për të kontrabanduar armë dhe municione nga Serbia në Kosovë”.
Përveç kësaj, Martensi ka shkruar se “…UNMIK-u përmend gjithashtu se disa nga sulmet kundër serbëve të Kosovës besohet se vijnë nga serbët e tjerë të Kosovës”.
Një gjë që do të ndihmonte këtu për ilustrim ishte djegia e veturave të serbëve që i kishin konvertuar targat ilegale në targa legale të Republikës së Kosovës. Prapa këtyre veprimeve dyshohet se janë radikalë nga komuniteti serb.
Një tjetër presion i serbëve ndaj serbëve që përmendet këtu ishte edhe ai për të mos u futur në Policinë e Kosovës. Gjë po ashtu e dëshmuar, e kundër të cilit kishte reaguar edhe ambasada e ShBA-së.
Megjithëse në artikull thuhet që “kushtet (për serbët) nuk janë ideale”, vazhdohet duke thënë që përmendja e “spastrimit etnik” përbën “ekzagjërim grotesk” nga ana e Beogradit.
Disa analistë e kanë parë gjuhën e Beogradit ndaj Kosovës si të rrezikshme dhe luftënxitëse përgjatë muajve të fundit.