Hitzfeld: Xhaka ishte kapiten i madh kundër Francës

30 qershor 2021 | 18:59

Ish-trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka lartësuar Granit Xhakën për paraqitjen e mrekullueshme që ai e bëri në triumfin historik të Zvicrës kundër Francës në Kampionatin Evropian 2020, duke thënë se mesfushori shqiptar ishte një kapiten dhe lider i mirëfilltë në fushë.

Xhaka e frymëzoi Zvicrën drejt arritjes së çerekfinales së parë në historinë e ekipit të vet kombëtar në një turne të madh në fitoren kundër Francës 5-4 me penallti të hënën në Bukuresht.

Mesfushori i Arsenalit asistoi te goli i barazimit 3-3 në çastet e fundit të ndeshjes së 1/8 së finales, i shënuar nga Mario Gavranoviq, dhe ia mbajti një fjalim frymëzues ekipit helvetik para penalltive. Hitzfeldi, i cili ia dha mundësinë Xhakës të debutojë për Zvicrën në moshën 18-vjeçare në një ndeshje kualifikuese për Euro kundër Anglisë në “Wembley” më 2011, ka thënë për mediat zvicerane se më së shumti mbeti i kënaqur me paraqitjen e mesfushorit nga Podujeva.

“Zvicra bëri paraqitje të shkëlqyer kundër Francës. U udhëhoq shumë mirë nga Vladimir Petkoviq. Në veçanti, jam i kënaqur me Granit Xhakën, Haris Seferoviqin dhe Ricardo Rodriguezin, të cilit ishin në gjendje të ofronin çaste të veçanta. Unë iu besova këtyre tre lojtarëve kur ata ishin të rinj. Iu besova atyre, talentit dhe potencialit të tyre”, ka deklaruar Hitzfeld. “Xhaka ishte kapiten i madh kundër Francës, një lider i mirëfilltë i lojës”, ka shtuar 72-vjeçari.

Ekipi zviceran u rikthye nga humnera pasi po humbiste me epërsi prej dy golave dhe e barazoi rezultatin në 3:3 në çastet e fundit të takimit të 1/8 së finales në Bukuresht, për ta mposhtur 5-4 në penallti kampionen e Botës, Francën. Zvicra e kishte humbur mundësinë për ta krijuar një epërsi prej 2-0 në fillim të pjesës së dytë, pasi Ricardo Rodriguez e humbi penalltinë dhe Xhaka, i cili u shpall lojtar i ndeshjes, i nxiti bashkëlojtarët të luftojnë për ta barazuar rezultatin dhe për ta çuar ndeshjen në penallti. Yann Sommer e mbrojti penalltinë e Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5-4 në penallti. Zvicra do të përballet me Spanjën në çerekfinalen e së premtes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka vënë në pranga 21 zyrtarë të…