HNA ul zotërimet tek Deutsche Bank
Investitori më i madh i Deutsche Bank, konglomerati kinez HNA, ka reduktuar zotërimin te huadhënësi gjermanë, ndërkohë që premton se do të qëndrojë ende aksioner i rëndësishëm, ndërkohë që riorganizon financimin e këtij zotërimi.
HNA mban 9.2% të aksioneve me të drejtë votuese te Deutsche Bank, në rënie nga 9.9% që kishte më parë.
Sipas kompanisë që mbikëqyr investimet për HNA, kompania kineze do të vazhdojë të jetë një investitor i rëndësishëm për Deutsche Bank. HNA ndodhet në presion financiar pasi ka shpenzuar miliarda dollarë në blerje të nxitura me borxh, përfshirë zotërimin te Deutsche Bank.
Grupi kinez synon të shesë pasuri të paluajtshme në Shtetet e bashkuara me vlerë në rreth 4 miliardë dollarë, ndërkohë që përpiqet që të shkurtojë barrën e borxhit, sipas Bloomberg.
Deustche Bank ra me 2% në vlerë tregu, gjatë sesionit tregtar në Frankfurt. Ekzekutivi i bankës më të madhe në Gjermani, John Cryan, tha se marrëdhënia me grupin kinez qëndron pozitive dhe se nuk ishte në dijeni të ndonjë plani të ndryshimit të investimit.
Pjesërisht pas çështjeve të grupit kinez është trajtimi i daljes së kapitalit nga Kina dhe fushata për të ulur rreziqet që vijnë nga borxhi i madh korporativ në vend. (Scan Tv)