Hodaj: Përfaqësuesja është goditur në momentin më të pavolitshëm
Në konferencën e jashtëzakonshme për medie, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj ka shprehur shqetësim me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në FFK e aq me shumë për që “dardanë” janë në prag të ndeshjes me Izraelin ku policia i ka “vizituar” lojtarët në hotel dhe i ka shqetësuar ata me pyetje të ndryshme.
“Lojtarët janë ndalur në hotel dhe janë pyetur. Unë them se çka do që janë pyetur nuk është në përputhje me ligjin e aplikueshëm pasi nuk ka pasur asnjë urdhër asnjë flet-thirrje nga prokuroria apo gjykata që të bëjnë asi veprime që kanë bërë. Ata i kanë ndalur lojtarët e kanë ndalur stafin e kombëtares në hotel pa u paraqitur se kush janë, kjo lë shumë për të dëshiruar, aq më shumë në kohën vendimtare kur kemi gjasa reale për kualifikim. Them se dashakeqi ose armiku më i madh nuk do të kishte gjetur kështu momentin më të pavolitshëm me godit përfaqësuesen. Nuk ka lidhje me individ, ne secili jemi të kalueshëm, por lojtarët dhe stafi është për keqardhje të pritën në këtë mënyrë”, ka thënë Hodaj.
Siç dihet kryetari i FFK-së, Agim Ademi është dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.