Holanda: Anëtarësimi i Ukrainës në BE i parakohshëm dhe i padobishëm si zgjidhje urgjente

10 mars 2022 | 19:53

Kryeministri holandez ka thënë se duhet ta shihni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të kuptuar sa i lodhshëm dhe kompleks është zgjerimi i BE-së.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian që kanë një qasje më realiste ndaj procesit të zgjerimit, të ashtuquajturat “ skeptike” nuk janë në favor të anëtarësimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë në Bashkimin Europian.

Ato propozojnë një formë më të ngushtë asocimi në kuadrin e Partneritetit të Lindjes, veçanërisht për Ukrainën që përballet me agresionin e regjimit të Vladimir Putin në Rusi. Qeveria holandeze është një prej tyre dhe e ka shprehur qartë qëndrimin pasi është konsultuar me Parlamentin holandez.

Ajo e konsideron anëtarësimin e Ukrainës si të parakohshëm dhe të padobishëm për shkak të shtrirjes së procesit të anëtarësimit në kohë, në një kohë kur Ukraina ka nevojë për zgjdhje urgjente në disa fusha kyçe ku përfshihet mbi të gjitha mbështetja në fushën e mbrojtjes, ndihma ekonomike dhe humanitare.

Qeveria holandeze konsideron, se ajo që i vyen më shumë Ukrainës tani është një bashkëpunim intensiv  pluridimensional me Bashkimin Europian, që mund të përkthehet në një formë asocimi më të ngushtë me këtë organizatë. Kryeministri i Hollandës, Mark Rutte dhe kryeministra të tjerë i kanë kërkuar presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel për të parë se ç ‘hapësira ka brenda marrëveshjeve ekzistuese të asocimit me vendet e Partneritetit të Lindjes, që mund t’u ofrohet tre vendeve aplikante në fjalë.

President i Këshillit Evropian, Charles Michel pritet tashmë të prezantojë një tekst, ku i kërkohet Komisionit Europian që në opinionin e tij të shprehet për rrugë alternative të bashkëpunimit më të thellë dhe më konkret me Ukrainën. Ky asocim më i ngushtë do të përfshinte në parim bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, arsimit dhe kërkimit.  Ky paragraf mund të përfshihet në konkluzionet e samitit të liderëve europianë që zhvillohet në Versailles (Francë). Diskutimet rreth Ukrainës do të zhvillohen gjatë darkës, rreth orës 20.30.

Kryeministri Rutte: Shihni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të kuptuar sa i lodhshëm dhe kompleks është zgjerimi i BE-së

Para samitit europian, për të treguar kompleksitetin dhe zgjatjen e procesit të anëtarësimit në BE, kryeministri holandez Mark Rutte ka marrë si shembull para deputetëve holandezë zvarritjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë së Veriut dhe Shqipërisë:

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian është, për ta shprehur sa më mirë në gjuhën holandeze, një proces i lodhshëm dhe i ndërlikuar. E shihni për momentin çfarë ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më në fund vendosëm të hapnim negociatat e anëtarësimit dhe më pas Bullgaria e bllokon përsëri këtë. Ky proces është aq kompleks dhe shtrihet në një afat kaq të gjatë, saqë ne nuk do ta ndihmojmë Ukrainën me këtë për momentin. Ne do t’i ndihmojmë ata me ndihmë dhe mbështetje praktike në ambicien e tyre të shprehur qartë për t’u orientuar drejt Perëndimit”. ka deklaruar midis të tjerash kryeministri holandez Mark Rutte.

Sipas kryeministrit Rutte, është e nevojshme që BE-ja të shohë se çfarë mund të bëjë në një afat të shkurtër për të ndihmuar popullsinë e këtyre vendeve dhe të zgjidhë problemet e Ukrainës, por edhe Gjeorgjisë dhe Moldavisë, duke patur parasysh frikën shumë të madhe që ekziston dhe në këto dy të fundit, për të treguar se BE-ja qëndron krah për krah me ta, se është e përkushtuar të sigurojë që dhuna në Ukrainë të ndalet dhe kërcënimi i perceptuar ndaj Moldavisë dhe Gjeorgjisë të zhduket.

“Ne duhet t’i themi gjithashtu popullit ukrainas, se mbrojmë integritetin tuaj territorial dhe sovranitetin tuaj. Kjo do të thotë se ne nuk do të pranojmë që Ukraina të detyrohet të bëhet një lloj shteti neutral ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit” është shprehur Rutte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një vizite që i…