Holanda dhe Luksemburgu kërkojnë përmbushjen e kërkesave të BE-së për veriun
Kryeministri i Holandës dhe ai Luksemburgut kanë kërkuar që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian (BE) për shtensionimin e situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, të martën janë takuar në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë një konference për medie me kryeministrin Kurti, Rutte ka thënë se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.
“Sot kemi shprehur brengat tona për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Holanda e Luksemburgu tentojnë që përmes dialogut të shtensionet situata dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por po ashtu për prosperitetin e integrimit drejt BE-së”, ka thënë kryeministri holandez.
Edhe kryeministri i Luksemburgut, Havier Bettel, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës, duke theksuar se të gjitha palët duan që situata të shtensionohet.
“Udhërrëfyesi nga (i dërguari i BE-së për dialogu, Mirosllav) Lajçaku dhe (shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph) Borrelli paraqet po ashtu për ne hapat e rëndësishëm për të vazhduar përpara. Ne duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme”, ka thënë Bettel.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se për këtë kërkohet që të zbatohet marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
“Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazë të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 18 marsit që dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte”, ka thënë Kurti.
Ndërsa gjatë takimit të dy liderëve evropianë me presidenten Vjosa Osmani, kjo e fundit ka thënë se Kosova ka “demonstruar vullnet” për shtensionimin e situatës, duke “ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit”.
Rutte dhe Bettel kanë qëndruar edhe në Beograd, ku kanë zhvilluar bisedime me krerët shtetërorë serbë.
Kjo vizitë e dy kryeministrave evropianë ishte planifikuar disa muaj më herët. Por, ata këtë vizitë e kanë shfrytëzuar për të dërguar mesazhin e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, për qetësimin e situatës në atë zonë dhe kthimin e Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e Brukselit.
Në Beograd, Bettel ka thënë se shpreson që në ditët dhe javët në vijim të arrihet përparim “dhe të ketë shtensionim të situatës”, duke shtuar se shpreson që nuk do të ketë nevojë që të flitet më për presione që duhet t’iu bëhen palëve për të zgjidhur këtë situatë.
BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për MSA-në, ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Kurse Rutte ka thënë se është e rëndësishme që të përmbushen kërkesat e paraqitura nga BE-ja, pasi sipas tij, plotësimi i tyre është rruga më e shpejt që do të çojë drejt shtensionimit.
BE-ja është duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian ka kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Në këtë vizitë ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
Vizita e kryeministrit të Holandës dhe atij të Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Tensionet janë rritur në fund të majit në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – komuna të banuara me shumicë serbe – pasi serbët lokalë janë duke i kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.
Kryetarët e rinj shqiptarë janë zgjedhur në zgjedhjet e prillit, votime që janë bojkotuar nga partitë dhe popullata lokale serbe. /REL