Holanda dhe Spanja rikthejnë kufizimet për shkak të variantit Delta

11 korrik 2021 | 12:48

Vala e re e infektimeve e ushqyer nga varianti Delta po “gllabëron” gjithnjë e më shumë vende europiane. Shteti më i fundit ku ka shpërthyer një valë përhapjeje është Holanda ku 24-orëshin e fundit u shënuan mbi 10 mijë infektime të reja.

Ritmet e përhapjes janë aq të shpejta sa brenda 10 ditëve infektimet janë shtuar me numra nga 3 në 5 shifrorë. Ky nivel infektimesh nuk ishte regjistruar prej Krishtlindjeve. Kryeministri Mark Rutte riktheu disa kufizime kundër përhapjes, duke mbyllur restorantet dhe diskotekat pas mesnate.

Rritje të shpejtë infektimesh po përjeton edhe Spanja, ku ditët e fundit rastet e reja i kanë tejkaluar 20 mijë.

Klubet e natës dhe diskotekat do të qëndrojnë mbyllur në fundjavë, sipas urdhrit më të fundit të qeverisë, për të frenuar ritmet e përhapjes në kulmin e sezonit turistik që grumbullon njerëz nga gjithë kontinenti.

Rritje të rasteve të infektimeve ka edhe në Itali, Francë e Portugali, por edhe në Shtetet e Bashkuara ku këtë javë infektimet ditore arritën në mbi 20 mijë.

Të larta vazhdojnë të jenë edhe në Britaninë e Madhe, po ashtu edhe në Rusi, ku në dallim nga vendet e tjera me proces të përparuar vaksinimi, vdekjet ditore janë në nivele rekord, mbi 700. /Tv Klan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia do të tentojë të kompletojë rikthimin e saj në…