Holanda do të dërgojë një sistem të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ në Kiev
Holanda do të dërgojë një sistem të mbrojtjes raketore “Patriot” në Ukrainë, njoftoi të martën agjencia holandeze e lajmeve ANP, duke cituar kryeministrin Mark Rutte. Zoti Rutte po qëndron në Uashington ku u takua me Presidentin amerikan, Joe Biden.
“ANP”, duke përmendur një bisedë mes dy udhëheqësve, citoi zotin Rutte të ketë thënë se ata do të merrnin pjesë në një nismë amerikano-gjermane për të dërguar sistemet e mbrojtjes raketore në Ukrainë.
Kryeministri Rutte e ka konfirmuar se kishte folur në telefon me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, për të diskutuar këtë gjë.
Presidenti Joe Biden, gjatë takimit në Uashington, e falënderoi zotin Rutte që është treguar “shumë i vendosur” në mbështetjen e tij për Ukrainën.
Takimi Rutte – Biden po mbahet një ditë pasi një zyrtar i lartë holandez i tregtisë tha se vendi i tij nuk do të pranojë kufizimet e reja të SHBA-së për eksportimin e teknologjisë së prodhimit të mikroprocesorëve në Kinë.
Shtetet e Bashkuara miratuan në tetor masa gjithëpërfshirëse për t’ia vështirësuar Kinës mundësinë që të prodhojë mikroprocesorët e saj.
Zyrtarët amerikanë të tregtisë thanë në atë kohë se prisnin që Holanda dhe Japonia të zbatonin rregulla të ngjashme së shpejti.
Grupi holandez i industrisë së teknologjisë “FME” i bëri thirrje të martën Komisionit Evropian që të hartojë një qëndrim nëse dhe si të kufizojë eksportet e teknologjisë së mikroprocesorëve në Kinë, duke thënë se duhej “veprim më i unifikuar dhe i fuqishëm” nga Evropa.
Kompania holandeze “ASML Holding”, një nga prodhuesit kryesor të gjysmëpërçuesve, në vitin 2021 regjistroi 15% të shitjeve të saj në Kinë, me një vlerë prej 2 miliardë eurosh./VOA