Holanda e Anglia e mbyllin në “paqe” pjesën e parë
Po rezulton të jetë ashtu siç pritej, një përballje spektakolare.
Prej orës, 21:00, “Tulipanët” e Holandës dhe “Tre Luanët” e Anglisë po përplasin “brirët”, në “Signal Iduna Park”, të Dortmundit, në sfidën e dytë gjysmëfinale, të Euro 2024 dhe deri më tani gjithçka është e ekuilibruar, me rezultatin që u ndal në fundin e pjesës së parë, në 1 me 1.
Të parët që gjetën rrugën e rrjetës ishin djemtë e Ronald Koeman, me “fantazistin” holandez, Xavi Simon, i cili bën gjithçka vetë, që prej rrëmbimit të topit, në hyrje të zonës angleze e më pas lëshoi një predhë në hyrje të zonës, për t’i dhënë avantazhin “Tulipanëve”, që në minutën e 7’-të, por nuk zgjati shumë.
Vetëm 8 minuta pas golit të “yllit” të RB Leipzig, “Tre Luanët” fitojnë një 11-metërsh, pas një rishikimi me anë të sistemit VAR, të një ndërhyrjeje të gabuar të Denzel Dumfries, në dëm të Harry Kane, me kapitenin e Anglisë, që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke mposht portierin Verbruggen e duke gjetur kështu barazimin.
Pas golit të djemve të Gareth Southgate loja u ndez akoma edhe më shumë, me Denzel Dumfries, i cili u përpoq të shlyente gabimin, mirëpo topi i goditur nga anësori i Inter u përplas në traversë.
Për “Tre Luanët” u kundërpërgjigjën Phil Foden, i cili fillimisht pati të një rast perfekt, mirëpo Dumfries u bë sërisht protagonist duke ndaul sferën në rrjetën fatale dhe pak minuta më vonë, “ylli” i Manchester City lëshoi një predhë nga jashtë zone, me topin që u ndal në shtyllë, pa mundur të ndryshojë rezultatin.
Tashmë nuk na mbetet asgjë tjetër, veçse të të presim përfundimin e 45 minutave të dyta, për të parë se kush nga skuadrat do të arrijë në finalen e madhe, të Euro 2024, aty ku do të gjejë “Furitë e Kuqe” spanjolle.