Holanda e Anglia në kërkim të finales
Sonte (e mërkurë) nga ora 21:00 do të mësohet finalisti i dytë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, ku do të takohen Holanda dhe Anglia.
Këto dy skuadra të mëdha përfaqësuese kanë pasur mjaftë probleme në këtë eveniment duke arritur kualifikimin në gjysmëfinale me mjaftë telashe, por tash janë afër të kualifikohen në finalen e madhe që zhvillohet të dielën.
“Holanda? Ata kanë llojin e tyre të personalitetit, luajnë ashtu siç luajnë dhe kjo nuk do të ndryshojë. Mënyra se si ata luajnë nuk ndikon në mënyrën se si ne luajmë. Ne duhet të arrijmë në atë nivel që ka Holanda dhe të jemi më të mirët atë natë. Ne jemi të motivuar, kemi një mentalitet ‘kurrë mos vdis dhe vazhdojmë të shtyjmë deri në fund’. Ky është një art më vete, te besosh te forcat e tua”, ka thënë portieri i Anglisë, Jordan Pickford. Anglia do të synojë një finale të dytë radhazi të Evropianit, por për këtë duhet një frymëzim pas paraqitjeve jo bindëse deri tash. “Tre Luanët” arritën në gjysmëfinalen e katërt të Kampionatit Evropian duke e mposhtur Zvicrën në çerekfinalet e javës së kaluar. Zvicra shënoi nëpërmjet Breel Embolo, por Anglia barazoi në fund të ndeshjes me anë të Bukayo Sakas dhe në penallti ishte me e suksesshme duke siguruar kualifikimin. Në anën tjetër Holanda kaloi në gjysmëfinale, pas mungesës së gjatë prej vitit 2004.
Në çerekfinale, holandezët e mposhten Turqinë me përmbysje 2-1. Për ndeshjen nga Anglisë ka folur futbollisti i Holandës, Cody Gakpo.
“Është një ndeshje shumë e fortë. Ne jemi në gjysmëfinale tani dhe padyshim që ky nuk është fundi i turneut. Çdo ekip në gjysmëfinale dëshiron të arrijë në finale. Kjo shkon edhe për ne, pra kjo është ambicia jonë”, ka thënë Gakpo.
Formacionet e mundshme:
Holanda: Verbruggen; Dumfries, De Vrij, Van Dijk, Ake; Schouten, Reijnders; Malen, Simons, Gakpo; Depay.
Anglia: Pickford; Walker, Stones, Guehi; Saka, Mainoo, Rice, Trippier; Bellingham, Foden; Kane.