Holanda fiton ‘dramën’ ndaj Ukrainës
Ndeshja në mes Holandës dhe Ukrainës e vlefshme për Kampionatin Evropian “Euro 2020” u shndërrua në një “dramë” të vërtetë ku në fund fitues dolën holandezët me rezultat 3-2.
Pjesa e parë u mbyllë me rezultat 0-0, kurse në pjesën e dytë u shënuan pesë gola. Në minutën e 53-të, pas një aksioni të bukur nga krahu i djathtë, topi pritet nga portieri më pas shfrytëzohet në mënyrën më të mirë nga Wijnaldum, që e ka të thjeshtë të shënojë me portën e boshatisur.
“Tulipanët” vijojnë aksionet sulmuese, teksa do të ishte radha e Weghorst që në debutimin e tij ka arritur që të shënojë, duke përfituar pas një rrëmuje në zonën e ukrainasve. Kur dukej se ndeshja nuk kishte më histori, do të vinte reagimi i Ukrainës. Yarmolenko në minutën e 75-të, shpik një gol nga hiçi me një goditje fantastike nga distanca, që përfundoi në trekëndësh, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portieri Stekelenburg. 4 minuta më pas Yaremchuk përfiton nga përgjumja e mbrojtjes holandez për të shënuar me një goditje me kokë.
Skuadra e De Boer arriti ta gjejë golin e fitores pesë minuta nga fundi, kur Ake krosoi në zonë për Denzel Dumfries, i cili godet mjaft mirë me kokë, duke e dërguar topin në cepin e portës për rezultatin final 3-2.