Holanda fiton miqësoren e dytë ndaj Kosovës
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në miqësoren e dytë me Kombëtaren e Holandës, që u zhvillua në Ziest. Ashtu sikurse në ndeshjen e parë (0:0), edhe në duelin e sotëm lojtarët tanë treguan lojë të hapur dhe mjaft cilësore.
Madje, në pjesën e parë “Dardanët” krijuan disa mundësi të njëpasnjëshme para portës holandeze, por fati nuk ishte në anën e tyre. Në anën tjetër Holanda arriti t’i finalizojë disa prej rasteve të krijuara, falë edhe shpërqendrimit të mbrojtjes tonë. Pas ndeshjes, përzgjedhësi Arben Simitçiu i cilësoi këto dy miqësore në Zeist si shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të ekipit kombëtar, derisa paraqitjen e lojtarëve e vlerësoi me nota të larta.
“Këto miqësore kanë qenë të mirëseardhura për ne. I kemi provuar të gjitha gjërat që i kemi planifikuar dhe lojtarët i kanë aplikuar detyrat që i kemi dhënë gjatë këtij kampi. Mendoj se jemi në rrugë të mirë dhe ardhmja jonë në futsall do të jetë e shndritshme. Sa i përket ndeshjes së sotme ishim më të mirë se sa kundërshtari në të gjitha statistikat, përveç rezultatit, por thjesht fati nuk ishte me ne. Natyrisht se në lojën tonë pati ndikim edhe largimi i kapitenit, por edhe mosshfrytëzimi i rasteve të shumta. Në anën tjetër, ata realizuan prej disa gjysmërasteve. Sidoqoftë, në zhveshtore i përgëzova lojtarët për paraqitjen e tyre sepse brenda 24 orëve kemi luajtur dy ndeshje me intensitet tejet të lartë dhe kemi bërë futsall evropian”, ka theksuar Simitçiu.
Këto dy miqësore në Holandë do t’i shërbejnë Dardanëve që të përgatiten sa më mirë për sfidat e ardhshme në ciklet kualifikuese.