Holanda i dhuron FSK-së pajisje për mirëmbajtje të automjeteve
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka pritur në takim ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës.
Berisha e ka falënderuar ambasadoren e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti holandez ka dhënë për Kosovën, në veçanti e ka falënderuar për donacionin e sotëm në pajisje për mirëmbajtjen e automjeteve, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës.
Gjithashtu, ministri Berisha e ka njoftuar diplomaten holandeze edhe mbi të arriturat e FSK-së, kapacitetet, integrimin e gjinisë femërore dhe të komuniteteve në FSK, procesin e tranzicionit dhe planifikimet për të ardhmen. Ai ka thënë se për procesin e tranzicionit të FSK-së në vazhdimësi kemi qenë transparent, i kemi informuar të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë për hapat gjatë këtij procesi’’.
Ndërsa ambasadorja e Holandës në Prishtinë, Gerri Willams, pasi e ka përgëzuar ministrin Berisha për suksese, ka konfirmuar edhe gatishmërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së dhe Kosovës në përgjithësi.
/Epoka e re/