Holanda mbështet prodhuesit e qumështit
Është mbajtur në Prishtinë konferenca me temën: “Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë”.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, ka thënë se në kuadër të këtij projekti do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit, dhe në bazë të analizave do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë.
“Ky projekt do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve dhe në rritjen e profitabilitetit të qumështit. Ne si shoqatë do të kemi një përgatitje profesionale për aftësim të fermerëve në prodhimtarinë e tyre për tregun vendor dhe atë evropian. Mendoj se qëllim tjetër rreth këtij projekti është edhe aftësimi i fermerëve për tregun vendor dhe atë të jashtëm, ngase problem mbetet konkurrenca e pabarabartë”, ka deklaruar Berisha.
Ndërsa, ambasadori i Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke treguar për rëndësinë e këtij projekti për industrinë e qumështit në Kosovë, ka thënë se shteti holandez ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Holanda duhet të jetë model edhe për Kosovën.