Holanda mposhti Anglinë, kualifikohet në finale
Holanda ka siguruar finalen e Nations League pasi ka mundur me rezultatin 3-1 Anglinë në gjysmëfinalen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Afonso Henrique” të Guimaraes.
Ka qenë një fitore me përmbysje për skuadrën e Koeman, që ka kaluar në disavantazh në minutën e 32-të pas një gabimi të De Ligt. Mbrojtësi holandez ka humbur kontrollin e topit dhe ka bërë një ndërhyrje të parregullt ndaj Marcus Rashford në zonën e rreptësisë. Asnjë dyshim për arbitrin Turpin, që ka akorduar penalltinë, e cila është transformuar në gol nga vetë Rashford.
Kundërpërgjigja e “Oranje” ka ardhur në minutën e 73-të, kur De Ligt ka shlyer gabimin dhe ka barazuar ndeshjen me një gol të fuqishëm me kokë. Qendërmbrojtësi është bërë lojtari i parë që ka shkaktuar një penallti dhe ka shënuar një gol në të njëjtën ndeshje për Holandën që nga Stefan de Vrij në 2014-ën (kundër Spanjës).
Në minutat e fundit të kohës së rregullt, anglezët kanë shënuar golin e dytë me Lingard, por festa e skuadrës së Gareth Southgate është prishur nga VAR, që ka anuluar golin për një pozicion jashtë loje dhe ka dërguar ndeshjen në shtesë.
Një shtesë që ka filluar me një gafë të John Stones, i cili ka humbur një top që ka çuar te një autogol i Kyle Walker, me këtë të fundit që është bërë lojtari i parë që shënon një gol për Holandën në kohën shtesë që nga Ruud Geels në 1976-ën kundër Jugosllavisë.
Në minutën e 114-të ka ardhur gafa e radhës nga anglezët, me Ross Barkley që ka bërë një pasim të gabuar mbrapa dhe ka dërguar topin në këmbët e Depay-t, që ka pasuar te Promes, i cili ka fiksuar shifrat në 3-1.
Holanda do të përballet në finale me Portugalinë të dielën në mbrëmje. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45 në “Estadio do Dragao” të Portos.