Holanda pro hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Holanda ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Jashtme po diskutohet raporti më ri i vlerësimit për Shqipërinë, ministrja e re e Jashtme holandeze Singrid Kaag ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke nënvizuar se ky shtet ballkanik së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Zonja Kaag ka shtuar se konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë duhet të ndodhë sa më shpejt.
Holanda kryesonte listën e vendeve skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, por ka ndryshuar krejtësisht kurs.
“Qeveria holandeze është e kënaqur që Shqipëria ka bërë përparim me reformat në disa çështje kyçe dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë fushë, ka përparim, megjithëse shifrat mbi dënimet e zyrtarëve të lartë mbeten një shqetësim theksuan deputetet holandeze. Gjithsesi Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm në kushtet e paracaktuara”.
Pas këtij qëndrimi pozitiv të shprehur nga qeveria holandeze, por dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria por dhe Italia duket se Shqipëria do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Europian për çeljen e kuadrit negociues që do të pasojë konferencën ndërqeveritare./tvklan/