Holanda tërheq ambasadorin nga Turqia
Holanda ka tërhequr zyrtarisht ambasadorin e saj nga Turqia dhe ka deklaruar se nuk do pranojë ambasador të ri turk në Hagë.
Ky vendimi shënon kulmin e një mosmarrëveshjeje në mes të dy vendeve, që nisi kur holandezët ndaluan ministrat turq të bënin fushatë me emigrantët turq në Holandë, në vitin 2017. Diplomatit holandez nuk i është lejuar hyrja në Turqi që prej muajit mars.
Ministria e Jashtme e Holandës ka njoftuar gjithashtu se ka ndërprerë bisedimet për zgjidhjen e problemeve me Turqinë. “Nuk kemi rënë dakord mbi mënyrën sesi të normalizojmë marrëdhëniet tona”, ka thënë ministri i jashtëm holandez, Halbe Zijlsra.
Dy vendet aleate të NATO-s patën fillimisht përplasje për shkak të vendimit të Holandës për t’u ndaluar hyrjen zyrtarëve turq, të cilët donin të zhvillonin mitingje elektorale përpara referendumit në Turqi mbi zgjerimin e pushtetit të presidentit Erdogan. Një ministër mbërriti me automjet nga Gjermania për të marrë pjesë në një miting në Rotterdam, në shkelje të plotë të urdhrit ndalues, por policia e shoqëroi atë deri në deportim. Menjëherë pas kësaj, forca të shumta policore u dërguan në qytet për të shpërndarë demonstruesit e irrituar turq me nënshtetësi holandeze.
Asokohe, votuesit holandezë pritej të shkonin në votim për zgjedhjet e përgjithshme dhe kryeministri Mark Rutte kishte përmendur shqetësimet mbi sigurinë përpara votimit, për të justifikuar vendimmarrjen e tij.
Përplasje të ngjashme janë shënuar edhe në vende të tjera të Evropës, ku zyrtarëve turq iu kishte ndaluar të zhvillonin mitingje me bashkëkombësit e tyre, si në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u kundërpërgjigj i irrituar, duke thënë se “nazizmi është ende i përhapur në Perëndim”./tch