Holanda voton për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Tani fjalën e ka BE-ja
Parlamenti Holandës ka votuar në favor të propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë për shkak të kriminalitetit të shtuar shqiptar në këtë vend.
Ky votim ia ka hapur rrugën Qeverisë së Holandës për t’ju drejtuar Brukselit, pasi fjalën e fundit për këtë kërkesë në rikthimin e vizave e ka Bashkimi Evropian (BE).
Ishin pesë parti politike në Holandë që kanë kërkuar votim në Parlament për rikthimin e vizave për Shqipërinë.
Partitë që kanë ndërmarrë këtë hap janë: VVD-ja, CDA-ja, PVV-ja, SP-ja dhe CU-ja, të cilat bashkërisht kanë 92 deputetë nga 150 sa ka Parlamenti i Holandës. Partitë VVD, CDA dhe CU janë 3 nga 4 partitë të koalicionit qeverisës.
Kërkesa e tyre kishte këtë përmbajtje: “Pas dëgjimit të diskutimit, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë, këto organizata kriminale keqpërdorin mundësia për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe me të, të zgjerojë më tej rrjetin e kontrabandës, duke vënë në dukje se pezullimi i vizave për Shqipërinë u detyrua nga kushte të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitar, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave”.
Në kërkesën drejtuar Parlamentit partitë holandeze e kanë cilësuar atë si pezullim emergjence vizash pasi shumë shqiptarë që mbërrijnë në Holandë si turistë përfshihen atje në trafikun e drogave të rënda dhe klandestinëve drejt Anglisë. /TCh/