Hollësi të tjera nga vrasja e vëllezërve Haxhia
Plot 55 plumba janë derdhur drejt makinës ku ishin dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia. Ndërkohë nga këqyrja e kufomave ka rezultuar se në trupin e tyre janë konstatuar dëmtime në trup e në kokë të shkaktuara me armë zjarri.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet: “Tek viktima Besmir Haxhia janë konstatuar 20 dëmtime në pjesën e kokës si dhe gjendur në trup një predhë arme zjarri. Ndërsa tek viktima Viktor Haxhia janë konstatuar 18 dëmtime, në qafë dhe në kokë, ku janë gjetur dhe 2 predha me armë zjarri, tre pjesë këmishe predhe arme zjarri”.
Pasditen e 27 prillit dy vëllezërit po lëviznin me makinën Golf 6 me targë AA 716 Z. Besmiri ishte në kahun e shoferit, ndërsa Viktori në ulësen e parë të makinës.
“Gjatë kohës që ishin në lëvizje me mjetin e tyre tek tregu i makinave autorët e ngjarjes i kanë ndjekur dhe më pas parakaluar me një automjet të tyre dhe i kanë qëlluar me armë zjarri automatike”.