Homazh për Fadil Kelmendin (1938 – 2025)

02 shkurt 2025 | 18:52

U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare Fadil Kelmendi (Balincë, Malishevë), mësimdhënës. Homazhet u mbajtën sot në ambientet e shkollës fillore “Tafil Kelmendi” në Balincë, vendlindja e tij. Kjo shkollë e mban emrin e vëllait të tij, prof. dr. Tafil Kelmendit 1948 – 1993), profesor universitar, që vdiq herët, më 1993. Në akademinë komemorative folën drejtori i kësaj shkolle Selajdin Kelmendi, drejtoresha e Drejtorisë Komunale për Arsim në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, veterani i arsimit e ish drejtori Tahir Kelmendi, gjeneral Kudusi Lame dhe deputeti i Parlamentit të Kosovës nga këto anë, Gani Krasniqi. Të gjithë këta vlerësuan figurën e Fadil Kelmendit, kontributin e tij në arsim dhe kontributin në luftë e në lëvizjet kombëtare të kësaj familjeje.

1.
Me Fadilin kemi punuar së bashku në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Kijevës, paralele e ndarë e Klinës (vitet 1976-1982 sa kohë punoja në këtë shkollë). Familja e tij e gjerë, ishte ndër familjet më të emancipuara arsimore pas Luftës së Dytë Botërore (siç ishin vëllai Avdyli, apo prof Dr. Tafil Kelmendi (profesor universitar, docent në degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Prishtinës e studiues i shquar i albanologjisë) dhe lagja e të rinjve të shkolluar. Familje liridashëse, dy djemtë e tij, Fatmiri e Gramozi, si dhe djemtël tjerë të tij, ishin luftëtarë të UÇK-së, dhe vetë me familjen e tij, po ashtu në krah e në ndihmë të UÇK-së. Në luftë, u martirizua, nga ky rreth familjar, profesori i ri i gjimnazit në Klinë, Ilir Kelmendi, i biri i Avdylit.
Kolegët Fadilin e mbajnë mend si pedagog arsimdashës, të pandashëm nga puna e tij në arsim që nga fillimi e deri sa u pensionua; e mbajnë mend si njeri të qetë, gjithnjë të hareshëm në bashkëbisedim e në punë të përbashkëta. Në gjimnaz mbante lëndën e frëngjishtes.
Kur vdes një mësues që i ka kushtuar një jetë arsimit dhe ka edukuar breza të tërë, sigurisht që jo vetëm për familjen, por edhe për rrethin e gjerë është një humbje e prekshme. Ai bënte pjesë në atë lagje mësimdhënësish që përçonin dijet te breza të tërë, por ai dallohej edhe si pedagog në formimin e karakterit atdhedashës e liridashës të të rinjve. Së këndejmi nuk ishte e rastit përse djemtë e vajzat e tij i shkolloi me përkushtim dhe përse dy djemtë e tij u frymëzuan të je në pjesë e lëvizjeve liridashëse dhe pjesë e luftës çlirimtare të popullit tonë në krye me UÇK-në. Janë breza të tërë që e kanë në kujtesën e tyre, me kontributin intelektual, moral dhe shpirtëror.

2.
Në këso momentesh, edhe sot në homazhe, ishte e natyrshme të ndihen emocione të thella, jo vetëm për vdekjen e tij, por edhe për ndikimin e spikatur që ka pasur tek ata. Merrnin pjesë kolegë e ish-nxënës të tij, rrethi i gjerë familjar, ish luftëtarë të UÇK-së, veprimtarë të lëvizjeve kombëtare, figura të dalluara publike etj.
Të gjithë ata që kanë mësuar nga ai, do ta kujtojnë me nderim dhe mirënjohje, duke e çmuar për gjithçka që ka dhënë për brezat që kanë kaluar përmes duarve dhe mësimeve të tij. Vetvetiu roli i tij ishte spontanisht ndikues e drejtues: udhërrëfyes për shumë të rinj që kërkonin dritë në rrugën e tyre të dijes. Do ta kujtoj në edhe ata që kanë pasë rast të bashkëveprojnë në lëvizjet kombëtare.
Ai besonte thellësisht në fuqinë e dijes për të formuar breza emancipues e atdhedashës dhe ky pasion i tij u bë realitet, dha frytet e dëshiruara me kryeveprën jetike historike: Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike.
Edhe në momentet më të vështira, ai qëndroi gjithmonë i qetë, me guxim dhe pa asnjë hezitim në shërbim të kërkesave arsimdashëse e liridashëse nëpër kohë. Ai ka edukuar e formuar breza të tërë, duke u dhuruar atyre jo vetëm dijen, por edhe vlerat e jetës.
Me përkushtimin dhe dashurinë që ai shfaqte për punën si mësimdhënës, edhe kolegët edhe nxënësit gjithsesi ishin të gatshëm ta dëgjonin, ashtu si ishte edhe ai i gatshëm të bashkëpunonte, të ndihmonte e t’i inkurajonte të tjerët, duke dhuruar gjithmonë një fjalë të matur, të ngrohtë dhe një këshillë të mençur.
Pas homazheve ceremonia e varrimit të Fadil Kelmendit është mbajtur sot, më 2 shkurt 2025, në varrezat e lagjes Kelmendi në fshatin Balincë të Malishevës.
Trashëgimia e tij në arsim, në familje e më gjerë, do të jetojë përherë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

(Prend Buzhala / 2 shkurt 2025)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë një tubimi…