HOMAZH PËR HAXHI SINAN THAÇIN (3.05. 1938 – 16.03. 2025)

20 mars 2025 | 18:20

Ismail Syla

1.
Kur Hashim Thaçi po mirrej me veprime të “rrezikshme” kundër shtetit, administratës dhe policisë serbe në Kosovën e rënë përtokë pas vitit 1989, ato nuk mbetën pa u hetuar nga intuita e njeriut të zgjuar, nga babai i tij, Haxhi Thaçi. Nga bisedat spontane me të ai kujtonte rastet kure i biri së bashku me Kadri Veselin vinin në odë, të lodhur, shtriheshin veshur dhe mbathur me këpucë ose mbathje sportive, të lidhura mirë. Dimrit qëllonte që mbathjet e tyre të ishin me copa ngrice. Ata në çdo rast qëndronin në gatishmëri për të mos rënë në duart e policisë serbe.

Ky fakt tregon se nga shqisa e gjashtë e prindërive nuk mund të futesh në ilegalitet të thellë. Baca Haxhi kurrë nuk i pyeste çka bënin, ndonëse e dinte se ata nuk rrinin rehat. Më vonë, ishte ky baba që bashkë me hoxhën, dajën e Hashimit, Avdyl Krasniqin, nën dyshemenë e xhamisë së Burojës, strehuan një numër të madh armësh, para se të fillojë lufta.

2.
Haxhi Thaçi gjithë ofenzivat e policisë dhe ushtrisë serbe të verës dhe vjeshtës 1998 i përjetoi në Drenicë, i zhvendosur si gjithë popullësia e asaj treve. Ai e ndau fatin me popullin. Edhe kohën e bombardimeve të NATO-s e përjetoi në terren ku ishte popullata. Kishte përvojë të mirë, por edhe të hidhur ku provoheshin dhe sprovoheshin karaktetet njerëzore të të gjithë kategorive. Baca Haxhi Ishte prindi një ushtari të veshur në uniformë të UÇK-së, Ganiut, e në anë tjetër emri i djalit të pestë, i Hashim Thaçi, shpërtheu fuqishëm në opinionin publik si përfaqësues politik i UÇK-së dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë. Edhe këtë barrë “rreziku” Haxhi Thaçi e duroi deri në fund të luftës, ndonëse i kishte mundësitë për t’u larguar nga zonat e luftës.

3.
Pas çlirimit të Kosovës, Haxhi Thaçi, edhe pse baba i një lideri të fuqishëm politik, vazhdoi të bëjë jetë të qetë, modeste dhe pa rënie në sy. Ai kishte të gjitha tiparet klasike të burrërisë shqiptare, besnik, i pa fjalë dhe zot shtëpie i urtë. I nderuar, por kurrë mendjemadh, i përmbajtur e kurrë frekuentues çajtoresh, larg thashethemesh, larg të qenit “pleqnar” ose “tuxhar”. Me këtë model jete dhe stil jetese ai u bë shëmbëlltyrë e përkryer e njeriut që ruan emrin dhe statusin e familjes së famshme.

3
Arrestimi dhe burgosja e presidentit Thaçi më 5 nëntor 2020 qe goditje e rëndë për Haxhi Thaçin. Me fjalorin e njeriut zemërçiltër ai shprehte besim që djali do të delë faqebardhë nga burgosja e padrejtë. Të njëjtën dhembje shfaqte edhe për shokët e tij të burgosur. Në thellim të moshës, burgosja e Hashim Thaçit iu bë edhe një barrë. Ai nuk arrit ta pres për së gjalli lirimin e të birit, por zemra i pushoi së rrahuri pikërisht më 16 mars 2025, në mes të muajt, duke e bërë simbolikisht “mars të thyer”.

4.
Më 18 mars 2025 varrimi i Haxhi Thaçit e shpaloi njërën anë të medaljes së jetës. Atë tragjike. Hidhërimin. Vdekja e tij e bashkoi pikëllimin shqiptar. Erdhën miq ngushëllues nga gjthë trojet shqiptare, nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga Sanxhaku (me targa NP).

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, biri i tij, Hashim Thaçi, kryeministër i Republikës së Kosovës, shpalosi anën tjetër të medaljes, gëzimin, fitoren, krenarinë lavdinë, lumturinë shqiptare, shpalli Kosovën shtet të pavarur, mbolli një shtet të ri në hartën e Evropës (sipas Nicolas Sarkozy, president i Francës), aktin sublim të mëvetësisë kombëtare, politike dhe juridike të Kosovës, duke ndryshuar historinë e Evropës (sipas Wllfgang Petrisch, diplomat i lartë austriak). Dy thaçët Kosovës ia dhuruan dy kategori supreme estetike: të madhërishmëm (2008) dhe tragjikën (2025). Gëzimin dhe pikëllimin.

5.
Në vigjilje të ardhjes së vitit të ri, 2025, në bisedën telefonike me baën Haxhi i bëra një pyetje të lehtë provokuse: a po të kqyrin djemtë. U përgjegj me maturinë e tij: “Po, valla, boll, po nuk pa kanë shka m’i bâ pleqnisë teme”, përmes aparatit telefonit të Idrizit, djalit të dytë, i cili u kujdes në mënyrë të veçantë për babain, ai Idrizi, që u duk në të gjitha fotografitë e varrimit me lot në sy.

Që nga fillimi i këtij viti bacës Haxhi po i vështirësohej gjendja shëndetësre. Vizita e fundi që i bëra qe ajo e një të shtune në klinikën infektive në QKUK. Kishte probleme edhe me frymëmarrje. Duke biseduar me të, në afërsi të veshit u përpoqa që disa falë t’i thoja si të kenë veti oksigjenike: Baca Haxhi sa herë që merr frymë dije që aq herë më afër është ardhja e djalit tënd Hashimit. Viti 2025 është vit i Hashim Thaçit!… Këto fjalë ia përsërita disa herë, që t’ia ngultja në mendje, t’i bëheshin forcë organizmit të tij tashmë goxha shumë të lodhur.

6.
Më 13 mars presidenti Thaçi erdhi dhe e takoi babain në QKUK. Ishte me një fytyrë në dukje të lodhur, por Hashim Thaçi është ndryshe nga ato foto që mbeten në internet si imazh i kësaj vizite. Sigurisht njeriu kishte bërë një natë krejt pa gjumë. Nga vizitat që i kam bërë në burg, ai ka një vitalitet të padyshimtë. Sjellja e tij ktenare, gishti i fitorës dhe dora në zemër bëri që shumë njerëz përpara ekraneve televizive të mbërtheshin në vaj, të derdhnin lot.

Takimi i i Hashim Thaçit me babain qe një akt çmalljeje dhe shpengimi. Shpirti i Haxhi Thaçit i mbetur peng në një organizëm që po e tradhtonte orë pas ore, sikur u pajtua që pas tri ditësh ta braktiste këtë botë. Haxhi Sinan Thaçi ndërroi jetë në mbrëmjen e 16 marsit 2025.

Rob i rregullave strikte dhe absurde të Gjykatës Speciale, presidenti u privua nga drejta që mbi arkmortin e të atit ta hidhte një grusht dhé nga dheu i tokës së lirë të Kosovës.

Kjo JO e gjykatës u bë një POOOOOOO e qytetarisë shqiptare, që u pa në ceremoninë e varrimit, që po shihet në ardhjen e ngushëlluesve të shumtë, që si lumë po rrjedhin në sallën sportive “Ilaz Kodra” në Skënderaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Angela Griep, zëdhënëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK)…