Homazh për Sirinë

20 maj 2018 | 18:30

Valon Murtezaj

Para disa ditësh bashkë me kolegë profesorë në Paris, takuam një kandidate për të studiuar në universitetin tonë. Për shkak të konkurrencës së madhe, përveç suksesit të treguar në shkollimin e mëhershëm, dhe testeve tjera, në fund të procesit kandidati duhet kaluar nëpër intervistë para një paneli profesorësh dhe profesionistësh të fushave të ndryshme.

Ajo ishte një vajzë e re, fliste perfekt disa gjuhë, dhe kishte një maturi që theksueshëm binte në sy. Një kandidate me potencial të shkëlqyer.

Ndër të tjera, duke rrëfyer për veten e saj, përfshirë përvojën e saj profesionale që eventualisht mund ta këtë pasur, ajo tregoi që ka një përvojë në një kampanjë vetëdijesimi për mbrojtje nga kanceri, dhe se beson në vlerat e utilitarianizmit, të mirës së përbashkët dhe se është e lidhur me jetën e saj të mëparshme në Dubai dhe në Siri, dhe se po ashtu në Francë ka gjetur një vend të mundësive.

Për ta sprovuar paksa më seriozisht nëse këto që thoshte ishin bindje të saj me të vërtetë, i bëra një pyetje, se po të kishte mundësi ta kalonte një ditë e të bisedonte me njërin nga dy, për kënd do të përcaktohej, Steve Jobs apo Nënë Terezën. Nga përvoja ime mund të them që në raste të tilla, pyetja zakonisht vendos në sprovë serioze secilin apo secilën që duhet të përgjigjet. Janë personalitete të mëdha dhe që përfaqësojnë gjerësisht vlera dhe impakt botëror.

Me Nënë Terezën, ishte përgjigja e saj.

Përkundër që për profesionin e saj që synonte, tha se ndoshta më shumë do të përfitonte nga takimi me Steve Jobs. Por përzgjedhjen e bëri në mënyrë të qartë dhe të vendosur. Ajo tha arsyetimet e saj gjerë e gjatë për përcaktimin e saj.

Pastaj i bëra edhe një pyetje:
Pyetja është metaforike, meqë ju përmendet përvojën tuaj me fushatën kundër kancerit, a ka diçka më kancer se kanceri sot?

Ajo që deri tani formulonte fjali të tëra, rrjedhshëm, analitike dimensionesh të gjëra e të thella, u përgjigj vetëm me një fjalë.

Lufta.

Ajo u përgjigj me një fjalë, aq shkurt.

Pas disa sekonda heshtjeje të shkaktuar, prej cilit vend në Siri jeni, e pyeta. Ajo ishte nga Aleppo. Alep si i thonte ajo në shprehjen e saj origjinale, apo Halab në gjuhën e saj.

Qytetit simbol të shkatërrimit e tragjedisë njerëzore, dhe dështimit të humanizmit në kohën tonë.

Fytyra e saj u transformua. Edhe fytyrat e kolegëve të mi profesorë.

Një ditë do të shkosh në Alep, edhe do ta bësh qytet edhe më të bukur se që ka qenë, i thashë.

Faleminderit ishin fjalët e saj. Për mua tingëllonte si një lutje në gjuhën e saj.

Unë, nuk e pashë fytyrën time, por tanimë kishte kohë që isha diku në Kosovë më 1998 a 1999.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani është shprehur i lumtur se…