Homazhe dhe nderime për veprën e Fetnete Ramosajt në Deçan
Komuna e Deçanit në bashkëpunim me OVLUÇK-në ka organizuar sot homazhe në nder të jetës dhe veprës së ish-ushtares së UÇK-së, Fetnete Ramosaj.
Organizimi u bë nën patronazhin e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili edhe mbajti një fjalim për të në mbledhjen kememorative, raporton “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se Ramosaj i kushtoi tërë jetën veprimtarisë patriotike dhe se është e pavdekshme në kujtimin e bashkëvendësve të saj.
“Fetnete Ramosaj është ikona e luftës në Dukagjin. Ajo ishte ushtare,aktiviste, gazetare, publiciste që tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë. Fetnetja që nga vitit 1998 ishte aktiviste dhe pjesëtare e celulave të para të UÇK-së. Ajo gjatë luftës ka kryer edhe detyrën e zëdhënëses së UÇK-së gjatë luftës duke u raportuar mediave të vendit dhe atyre të huajave. Pas luftës Fetnetja ishte pjesë e TMK-së nga viti 2002 si kolonele. Veprat e saj e bëjnë të pavdekshme për të gjithë ne”, ka thënë Ramosaj.
Në këtë organizim po merr pjesë edhe deputeti Daut Haradinaj dhe shumë qytetarë të Deçanit.