Homazhe në Kosovë në kujtim të viktimave të 11 shtatorit

11 shtator 2021 | 16:57

Krerët shtetërorë të Kosovës së bashku me zëvendësambasadorin amerikan, Nicholas J.Giacobbe, kanë bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova kujton” për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sulmet e 11 shtatorit ishin thirrje për ndërgjegjen e botës dhe për mobilizimin kundër një të keqeje të përgjithshme.

“SHBA-ja është aleatja jonë strategjike dhe e përhershme. Sot jemi me ta, sikurse në çdo situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli më pro-amerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-së, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo”, tha ajo, thuhet në një komunikatë të përbashkët për media të lëshuar nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se sulmet që ndodhën 20 vjet më parë në tokën amerikane ngjallën reagimin unik ndërkombëtar kundrejt terrorizmit.

“Sulmet e 11 shtatorit 2001 tronditën qytetarët e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar sepse midis dy kombeve tona është sendërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale. Kosova vazhdon të mbetet partnere besnike e SHBA-së në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të saj”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova bashkëndjen me SHBA-në për humbjen e qytetarëve nga këto sulme.

“Sot po përkujtojmë 20-vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve. Nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2,977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan”, u shpreh Kurti.

Më 11 shtator 2001, 19 anëtarë të rrjetit terrorist Al-Kaida kryen sulmet më të tmerrshme terroriste në tokën amerikane, duke vrarë gati 3,000 persona. Dy avionë të rrëmbyer nga terroristët goditën Kullat Binjake në Nju Jork, një goditi Pentagonin në afërsi të Uashingtonit, ndërkaq një avion u rrëzua në një fushë në Pensilvani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…