Homazhe për senatorin McCain në Arizona
Një makinë e zezë me trupin e senatorit të ndjerë amerikan John McCain, arriti të mërkurën në Kapitolin e shtetit Arizona për homazhe në këtë shtet, që ai e ka përfaqësuar që nga vitet 1980.
Anëtarët e Gardës Kombëtare me uniforma të Arizonës bartën arkivolin në sallën rrethore të Kapitolit ku u vendos trupi i senatorit, ndërkohë që dita e mërkurë përkonte me 82 vjetorin e tij të lindjes, njofton VoA.
McCain vdiq të shtunën nga kanceri i trurit.
Para fillimit të ceremonisë, veteranë dhe ushtarakë aktivë kishin dalë në trotuar për të pritur trupin, i cili u soll në Kapitolin e Arizonës nga një shtëpi funeralesh.
Më vonë pasdite, Kapitoli u hap për publikun për t’i dhënë senatorit lamtumirën e fundit.
Për një pjesë të banorëve të Arizonës, McCain ka qenë politikani më i njohur në jetën e jetën e tyre. Ai e mori detyrën në fillim të viteve 1980, së pari si kongresmen dhe më pas si senator, një post i mbajtur dikur nga senatori Barry Goldwater.
McCain është personaliteti i tretë publik, trupi i të cilit vendoset në Kapitolin e Arizonës për homazhe gjatë 40 viteve të fundit.
Të premten, trupi i tij do të vendoset në Kapitolin e Kongresit në Uashington, ndërsa shërbimi përkujtimor përfundimtar do të mbahet të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.