Homazhet në nderim të Bejkush Birçes, FShF-ja nderon legjendën e futbollit
Komuniteti i futbollit shqiptar ka përcjellë të hënën për në banesën e fundit legjendën Bejkush Birçe, ish-futbollisti i madh dhe ish-trajneri i Kombëtares, i cili është ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 87- vjeçare.
Në homazhet e organizuara sot nën kujdesin e FShF-së në stadiumin “Air Albania” morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i FShF-së, Ilir Shulku, zëvendëspresidentët e FShF-së, Arben Dervishaj e Lutfi Nuri, anëtarët e KE-së së FShF-së, Anila Basha e Abdyl Kuriu si edhe zyrtarë të tjerë të kësaj federate.
Pasi kanë vendosur kurora me lule dhe janë përulur me respekt para arkivolit, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të Bejkush Birçes, sekretari i përgjithshëm i FShF-së, Ilir Shulku, ka thënë në një prononcim për medie se futbolli shqiptar humbi një ikonë dhe një bashkëpunëtor që të gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar futbollit.
“Sot është një ditë e dhimbshme për futbollin shqiptar, pasi ka humbur një nga ikonat dhe kolosët e futbollit. Një trajner, edukator, prind, bashkëpunëtor dhe mik i devotshëm që të gjithë jetën e tij ia përkushtoi futbollit me seriozitetin e tejskajshëm që ai kishte për futbollin. Virtyt që besoj do t’ia lëri shumë brezave të mëvonshëm dhe do ta kujtojmë me nostalgji. Një veti që ka pasur profesor Bejkushi ka qenë serioziteti në punën e tij, siç e thashë ka qenë një bashkëpunëtor mjaft i mirë dhe në punën e tij është karakterizuar nga serioziteti i tejskajshëm. Për mua por besoj edhe për të gjithë opinionin sportiv ka qenë një nga njerëzit më serioz në punë. I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, ka thënë Shulku.