Homazhet për 2 prillin i bashkoi demokratët, deputetët e Shkodrës krah Berishës, para 6 marsit ishin me Bashën
Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në homazhet dhe vendosjen e kurorave pranë Memorialit “2 Prill 1991” në Shkodër, në përkujtim të kësaj ngjarjeje që tronditi Shkodrën që ndryshe njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri.
Përkujtimi i kësaj ngjarje ku mbetën të vrarë 4 dëshmorët e demokracisë ka bashkuar demokratët. Krah Berishës ishin edhe deputetet e Shkodrës të cilët deri më 6 mars ishin të rreshtuar në krah të Lulzim Bashës.
Emrat:
Helidon Bushati
Ramadan Lika
Zef Hila
Emilja Koliqi
Greta Bardeli
Në mesazhin e tij para medieve Berisha ka deklaruar se është momenti për të bashkuar forcat përballë regjimit të Edi Ramës. Berisha tha se me deputetët e Shkodrës nuk është takuar sot për herë të parë, megjithatë pranoi se kjo e shtunë ishte dalja e parë publike me ta. Ndër të tjera, ish-kryeministri tha se nderon të gjithë deputetët e PD.
“Është pa diskutim një bashkim i padiskutueshëm me deputetët e Shkodrës të cilët unë i nderoj dhe respektoj dhe të gjithë deputetët e PD. Është koha që të bashkojmë forcat dhe energjitë tona përballë një regjimi, që edhe një herë e them dhe ju e shihni që përbën një organizatë të vërtetë kriminale në aktet e plaçkitjes së këtij vendi. Është shumë e thjeshtë të thuash për tre t rinj se kanë formuar organizatë kriminale pse bëjnë vepra të paduhura, ndërsa kur janë me kollare dhe kostume, ky kategorizim, pavarësisht se vjedhin në zinxhir, kjo nuk përbën organizatë. Kjo nuk është organizatë, është super organizatë”, tha Berisha.