Homologu slloven e nderon Veselin në darkën e kryeparlamentarëve
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Milan Brglez, ka pritur të premten në mbrëmje në Lublanë kryetarët e Parlamenteve të shteteve të Evropës Juglindore, ndërsa shteti slloven e ka nderuar kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli duke e ulur atë në qendër të takimit, pranë homologut të tij slloven.
Veseli ka bërë të ditur nëpërmjet një statusi në profilin e vet në “Facebook” se gjatë qëndrimit në Slloveni do të marr pjesë në sesionin e pestë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA).
“Bashkë me homologë dhe deputetë të shteteve të Evropës Juglindore, u takuam sonte në Lublanë, ndërsa nesër do të mbajmë sesionin e pestë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA). Gjatë punimeve të SEECP do të paraqes të arriturat e Kosovës dhe progresin e shënuar nga legjislativi në rrugën drejt integrimeve evropiane. Kosova do të kryesojë SEECP në periudhën 2019/2020”, ka shkruar Veseli.
Ndryshe, pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në SEECP janë edhe deputetë të partive politike parlamentare nga pozita dhe opozita.