Honda ‘blindon’ Marquezin
Kampioni i botës në Moto GP, Marc Marquez, ka rinovuar deri në vitin 2024 kontratën me motorin japonez Honda.
Palët kanë zyrtarizuar të enjten marrëveshjen. Kontrata e pilotit spanjoll skadonte në fund të këtij sezoni, por ai do ta vijojë bashkëpunimin me Honda edhe për katër vjetët në vazhdim.
“Jemi të lumtur që Marc do të qëndrojë me ne. Ai është dhe do të mbetet pjesë e familjes Honda. Kemi disa muaj që bisedojmë për rinovimin dhe gjetëm gjuhën e përbashkët për të vijuar edhe më tej së bashku”, ka thënë Nomura, presidenti i Hondas. Marc Marquez e ka nisur karrierën në Moto GP në vitin 2013 me Honda, duke fituar 6 tituj kampionë në total.
“Jam krenar për këtë marrëveshje të re me Honda. Falë kësaj kontrate të re jam më i qetë dhe mund ta vazhdoj garën për t’i arritur objektivat e mi”, ka deklaruar Marquez.