“Honda” investon 2.75 miliardë dollarë për prodhimin e makinave me vetëdrejtim
“Honda Motor” do të investojë 2.75 miliardë dollarë dhe do të marrë 5.7 për qind të aksioneve në njësinë e prodhimit të veturave me vetëdrejtim “Cruise të General Motors”, për të zhvilluar së bashku automjete autonome dhe për vendosjen e flotës së shërbimeve të udhëtimit anembanë botës.
“Honda”, e cila ka mbetur prapa shumë nga rivalët e saj në zhvillimin e automjeteve vetëlëvizëse, po paguan 750 milionë dollarë paraprakisht për aksionet e kapitalit në “Cruise” të General Motors” dhe do të kontribuojë edhe me 2 miliardë dollarë gjatë 12 viteve në të ardhshme, kanë treguar kompanitë të mërkurën.
Marrëveshja, e cila kërkon që “Honda” të ofrojë ekspertizë inxhinierike, shtrin bashkëpunimin midis dy prodhuesve të makinave në një teknologji që ka kosto dhe rrezik të madh, por pa produkte të gatshme për treg.
Prodhues të tjerë globalë të automjeteve po krijojnë aleanca të ngjashme për të ndarë pasigurinë dhe çmimin e madh të zhvillimit të teknologjive, që ende nuk kanë gjetur pranimin e gjerë të konsumatorëve./tch/