Hong Kongu do ta tërheqë zyrtarisht projektligjin që shkaktoi trazira
Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, do të njoftojë të mërkurën tërheqjen zyrtare të projektligjit për ekstradim.
Ky projektligj ka shkaktuar trazira për muaj të tërë në Hong Kong, pasi përmes tij lejohej ekstradimi i banorëve të Hong Kongut në territorin e Kinës.
Protestat, janë nxitur për shkak të këtij projektligji, mirëpo më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë, që bënte thirrje për hetime të pavarura të brutalitetit të policisë, dhe për demokraci më të madhe në Hong Kong.
Ende nuk është e qartë nëse tërheqja zyrtare e projektligjit do të ndalë trazirat.
Lami ka thënë më parë se projektligji ishte “i vdekur”, por ajo nuk e tërhoqi atë.
Të martën, udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka mohuar se ka ofruar dorëheqje, edhe pse, sipas disa audio-incizimeve, që rrodhën në publik, ajo ka thënë se do ta bënte një gjë të tillë.
“Sikur të kem zgjedhje, gjëja e parë do të ishte dorëheqja”, është dëgjuar të ketë thënë Lam në një takim privat të udhëheqësve të biznesit.
Hong Kongu i është dorëzuar Kinës nga Britania në vitin 1997, nën parimin “një shtet, dy sisteme”.
Sipas këtij parimi, Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.
Pekini, ndërkaq, ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.