Hooper: Kosova tani po shihet si një vend me liderë kokënxehtë
“Me këtë vendim [qëndrimin mbi taksën], liderët e Kosovës pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, kështu ka thënë në intervistën dhënë “Radios Evropa e Lirë”, James Hooper, ish-diplomat amerikan.
Ai ka thënë se është ndier i befasuar nga ky vendim i Qeverisë së Kosovës. “Të them të drejtën, e gjithë kjo më ka befasuar. Unë jam mësuar të bashkëpunoj me liderë të Kosovës, të cilët mendojnë në rrafshin strategjik dhe të cilët kanë ndjesi të shquar për komunitetin ndërkombëtar, të cilët dinë se cili është hapi i mençur ndërkombëtarisht. Kurse kjo që ka ndodhur, mua më duket si hapi më kontraproduktiv i liderëve të Kosovës, për aq sa mbaj mend”, është shprehur Hooper.
Ai ka theksuar se: “Tani kanë krijuar një spektakël publik, në të cilin Pentagoni, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë, janë bashkuar në një mënyrë të cilën unë asnjëherë nuk e kam parë në historinë e diplomacisë amerikane, për t’ua tërhequr vërejtjen kosovarëve se duhet ta pezullojnë taksën. Thënë sinqerisht, për mua kjo është shenjë e një forme të ngushtë dhe provinciale e të menduarit, dhe kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën, shumë e rrezikshme. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të futet në kënaqësinë e të menduarit në formë nacionaliste”, ka deklaruar Hooper.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link:
https://www.evropaelire.org/a/hooper-kosova-po-shihet-si-vend-me-lidere-koke-nxehte/29768463.html