“Horra… kiminelë…”, Peci në shënjestër: Granti 100 mijë € ndez debat

17 nëntor 2024 | 18:32

“Horra…kiminelë….mentalisht të shthurrur…pritni deri nesër”.

Në një shpërthim të paprecedentë, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, u deklarua ndaj opozitës pas ekspozimit të skandalit me dhënien thjesht-ashtu të një granti njëqind mijë eurosh për vëllanë e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit.

Përballë këtij lajtmotivi medial dhe kryetemeje publike – granti 100 mijë eurosh për Blerim Pacollin dhe refuzimi i aplikimit të grave të Krushës së Madhe, Fahrije Hotit – Peci paralajmëroi opozitën se do të shpalojë gjëra.

Por, një mal reagimesh ndaj tij veçse erdhën kur Kooperativa Bujqësore “Krusha” që udhëhiqet nga Fahrije Hoti doli shpjegoi fije për pe, se si – pa arsye domethënëse – Peci ua refuzoi aplikimin për subvencionim të një projekti.

Kontrasti me Blerim Pacollin ishte gjigant: ky i fundit hapi/regjistroi kompani vetëm katër ditë para se të shpërblehej me grant.

Juristi Ehat Miftaraj, këtë situatë e pa gjë për t’u hetuar; ndërsa s’kurse akuza ndaj ministrit Faton Peci pas shkrimit të këtij të fundit.

Në vend që me i ardh marre që vjedh e keqpërdorë paranë publike, del e shkruan rima”, tha Miftaraj, i cili i quajti edhe “të poshtër” dhe “pa pikë marre”.

“Pasi s’ka prokurori e polici që guxojnë me iu hetu e me i fut në burg për hajnitë dhe matrapazllëqet e juaja, lirisht merrne tupanin dhe filloni me sha, me ofendu secilin që ua zbulon hajnite”, shkroi ai.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Behxhet Pacolli, në anën tjetër madje konstatoi se “reagimi emociodnal i Faton Pecit…të jep përshtypjen se akuzat mund të jenë të vërteta”.

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, shkroi se “më e pakta” që do të duhej të pasonte do të ishte shkarkimi i Faton PEcit dhe përgjegjësve të tjerë në Agjencinë për Zhvillim për Bujqësi “që drejton tezakja e Presidentes (Vjosa Osmani)”.

Do të quhej TURP, nëse një ministër, si Peci, paratë e xhepit të tij vendosë t’ua japë familjarëve të politikanëve e këshilltarëve biznesmenë, dhe t’i lë duarthatë gratë e veja të Krushës që humbën gjithçka në luftë”.

Aktivizimi i Prokurorisë është i domosdoshëm, në mënyrë që ta dimë se ku po përfundojnë 50 milionët që po jepen si grante e subvencione”, shkroi Krasniqi.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, e quajti “krim të planifikuar dhe i buxhetuar” ndërsa tha se PDK-së, si opozitë, “tashmë faktet po na japin të drejtë”.

Çka e qysh ndodhi?

Vëllaut të Fitore Pacollit ‘Po’, Fahrije Hotit të Krushës së Madhe ‘Jo’.

Ky ishte kontrasti më i madh e më goditës që iu shërbye publikut nga Ministria e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci.

Njëqind mijë euro subvencion iu miratuan Blerim Pacollit, vëllaut të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, dhe atë kompaninë e hapi/regjistroi vetëm katër ditë para se ta gëzojë shpërblesën ministrore.

Fahrie Hotit – dhe grave të Krushës së Madhe – iu refuzua njëherë aplikimi, pastaj ankesa, në projektin “Blerja e Linjave të Makinerive për Përpunim dhe Konservim të Perimeve”.

Kompania “KB Krusha” doli me reagim ku artikuluan “shqetësimin dhe zhgënjimin” ndaj refuzimit: duke i nxjerrë letrat e (pa)arsyetimit të Ministrisë së Bujqësisë.

(…) thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”.

Pas vendimit të refuzimit, ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona”, u tha më tej.

Por, asnjë nga këto probleme s’i pati vëllau i Fitore Pacollit: atij iu ndanë paratë pa-një-pa-dy; dhe ministria e arsyetoi se “ne nuk diskrimojmë askënd”.

Partitë opozitare reaguan ndaj këtij favorizimi lucid-të-qartë të familjarëve të pushtetarëve të Vetëvendosjes, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që Fitore Pacolli të shkarkohet nga posti i saj si kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi si dhe që të zhvillohen hetime penale ndaj Faton Pecit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova dhe Rumania po e presin vendimin final të UEFA-s…