Hotelet në Sarandë dhe Ksamil ulin çmimet
Dy javë më parë, ishte e vështirë të siguroje për fundin e korrikut apo për gushtin, një hotel me çmim ekonomik në Sarandë.
Gjithçka niste nga 60 euro ku i përfshirë ishte vetëm akomodimi, kurse për Ksamilin, çmimi më i lirë ishte 80 euro nata. Çmimet e akomodimit në këtë fillim sezoni u rritën me 25-30%.
Por, rritja e çmimeve duket se e uli menjëherë kërkesën, duke nxitur veprimin e kundërt.
Së fundmi, ka një fushatë sponsorizimesh në rrjete sociale ku strukturat akomoduese janë bërë aktive me oferta, në një përpjekje për të rifituar pikët që destinacionet po humbisnin nga rritja e çmimeve që ndodhi gjatë qershorit dhe fillimit të korrikut.
Tashmë mund të gjesh për pikun e sezonit, pra pjesa e mbetur e korrikut deri më 20 gusht, hotele në Ksamil që ofrojnë paketa “half board” (dy vakte të përfshira) për 65-75 euro personi.
Kjo do të thotë që në dhomën dyshe të ofruar për një çmim 130 apo 150 euro, ofrohet mëngjesi dhe darka, shezlonet në plazh, parkimi.
Më herët edhe problematika e shezloneve, u kthye në një temë diskutimi pasi në një pjesë të plazheve çmimet nisnin nga 2 mijë lekë, deri në 15 mijë lekë (jo shezlone standarde).
Në Sarandë, një tjetër hotel ofron disa çmime sipas kategorisë së dhomë që do të marrësh.
Oferta i takon datës 26 korrik-28 gusht dhe për një dhomë dyshe çmimi është 75 euro person, për një dhomë treshe 59 euro/person dhe për një dhomë katërshe, 49 euro/person.
Në këtë ofertë përfshihet akomodimi, mëngjesi, darka, dhe parkimi.
Ajo që bie në sy është që oferta të kësaj natyre, mund të hasësh shpesh në “Instagram” ose “Facebook” dhe që janë të sponsorizuara nga strukturat akomoduese.
Ky fluks postimesh, duket se është shtuar sidomos ditëve të fundit.
Operatorët turistikë, raportojnë se numri i vizitorëve në Jug të vendit edhe pse në një nivel të mirë nuk është brenda pritshmërive që kishin dhe për këtë arsye numri i strukturave që po ulin çmimet po shtohet dita-ditës.
Për më tepër, po vihet re mungesa e pushuesve vendas të cilët kanë treguar një tendencë, për të rezervuar jashtë në vende si Greqia apo Turqia.
Po kështu, bregdeti shqiptar po vuan një prezencë më të ulët të shqiptarëve të Kosovës, të cilët në njërën anë janë në numra më të paktët si efekt i liberalizimit të vizave dhe në anën tjetër mendohet se edhe çmimet e rritura dhe euro e dobët kanë dhënë ndikimin e tyre.