Hoti: 100 euro e zgjidhin problemin vetëm për një vikend

14 dhjetor 2023 | 14:13

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi i qeverisë për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, ka kosto mbi 50 milionë euro, por sipas tij nuk e zgjidh problemin social në vend.

Këtë deklarim Hoti e ka bërë ne seancën e Kuvendit, ku është duke u shqyrtuar Projektligji për buxhetin e vitit 2024.

Hoti ka propozuar amandament për indeksimin e pensioneve dhe skemave pensionale.

Me këtë rast, Hoti ka thënë se përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rritur nga 38 në afër 60 për qind dhe se shtesa prej 100 euro e zgjidh problemin e familjeve vetëm për një vikend.

“Ne e pamë dje një vendim që e ka marrë qeveria që buxhetit të Kosovës i kushton mbi 50 milionë euro dhe nuk e zgjidh problemin. Para dy viteve, ju kemi dhënë rekomandime këtu në këtë Kuvend kur kemi pas debat parlamentar për shkak të inflacionit që të indeksohen pensionet dhe skemat sociale në mënyrë që së paku të mbrohet shtesa më e ndjeshme e kësaj shoqërie dhe tash merren vendime në qeveri duke shfrytëzuar buxhetin e fundvitit të cilat e zgjidhin problemin e këtyre familjeve vetëm për një vikend të vetëm. Ndërkohë, që ky amandament kërkon që të indeksohen për normën e inflacionit dhe të mbrohet fuqia blerëse e këtyre familjeve”, ka thënë Hoti, duke shtuar se raportet kredibile vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se numri i familjeve në varfëri është rritur në 10 për qind për shkak të inflacionit të lartë në dy vitet e fundit.

“Përqindja e buxhetit të familjeve që shkon për produkte ushqimore është rrit nga 38 në afër 60 për qind, prandaj kjo është e domosdoshme që të bëhet zgjidhje afatgjate. Prandaj ky amandament mundëson që të zgjidhet problemi më afatgjatë e jo me ndihma të njëhershme që e zgjidhin problemin e këtyre familjeve veç për një vikend”, ka deklaruar Hoti, amendamenti i të cilit nuk ka kaluar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin…