Hoti: 4 vjet në qeverisje, pagat rriten me 6.8 euro

27 gusht 2024 | 14:50

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se katër vjet të Kurtit në qeverisje pagat rriten me 6.8 euro.

“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!! Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për t’u mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai ka theksuar se zhvillimi ekonomik ka ngecur në mungesë të investimeve të mëdha publike, si rrugët rajonale, termocentrali me gaz e hekurudhat.

“Rreth 1 miliard euro nga totali i mjeteve të planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar. Investimet e komunave, sado që janë të vogla, janë penguar përmes vonesave në alokimin e mjeteve nga Qeveria. Investimet e jashtme janë reduktuar në shpenzimet e mërgimtarëve kryesisht në patundshmëri, pasi investime nga kompanive të huaja pothuajse nuk ka fare”.

“Kjo është e kuptueshme pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët. Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa. Sot, Kosova shihet nga aleatët jo si një vend me sfida për integrim euro-atlantik, por si një vend me sfida të sigurisë rajonale, ku duhet rritur praninë e KFOR-it, e duhet vizituar nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutash,…